Igli Tare është vlerësuar sërish si një nga drejtuesit më të suksesshëm të Serisë A. Por a do të vijë ai një ditë në Tiranë për të sjellë këtë eksperiencë?

Në një intervistë ekskluzive për Top Channel, Tare flet për planet e tij, duke lëshuar akuza të forta për ndeshjet e paracaktuara të kampionatit shqiptar. Ndërkohë që kërkon ndryshime në krye të Federatës Shqiptare të Futbollit.

***

Igli Tare: Është thjeshtë vlerësimi i punës. Është një meritë edhe e grupit, stafit që kam dhe që punojnë me mua bashkë. Sepse pa ndihmën e tyre është shumë e vështirë që t’i realizosh këto objektiva ose këto çmime me të cilat na vlerësojnë.

TCH: Ju konsideroheni tashmë edhe si flamurmbajtësi i pjesës shqiptare sa i përket sportit. A keni pasur ndonjëherë mirënjohje nga Shqipëria për pjesën post-futbollit të luajtur?

Igli Tare: Nuk e di ta vlerësoj ose gjykoj këtë aq sa duhet, sepse nuk jam dhe nuk jetoj aty nga afër. Kam shumë njerëz në Shqipëri, të cilët më përshëndesin rrugës sa herë që jam atje, ose që më japin vlerësimet e tyre. Kjo është pjesa më e bukur që unë ndjej, sepse fakti që i bëj krenarë për këto rezultate që këtej në botën tonë, është diçka domethënëse për mua.

TCH: Për pjesën zyrtare?

Igli Tare: Nuk më pëlqejnë këto lloj diskutimesh. Jam i linjës që çdokush ka linjën e tij dhe rrugën e tij në jetë. Jam i bindjes që nëse jeta ime është e lidhur me këto gjëra, nuk do të ecë kurrë përpara. Fokusohem tek puna ime, te rezultate e mbi të gjitha, pasojë është më pas vlerësimi që merr nga bota ku punoj këtu. Kjo është gjëja më e rëndësishme. Tashmë, unë nuk jam prej shumë vitesh i lidhur me Shqipërinë, jam më i lidhur me Italinë. Për mediat shqiptare është një gjë që vjen mbas vlerësimit që marr këtu.

TCH: Nëse ju pyesim si menaxher skuadre, çfarë ju mungon sportistëve shqiptarë që të luajnë në ekipe të mëdha. As Europiani nuk pati ndonjë efekt të madh…

Igli Tare: Për sa i përket lojtarëve nga Shqipëria, nëse bëhet fjalë për Italinë është shumë e vështirë sepse edhe rregullat e kampionatit italian nuk e lejojnë. Janë një ose maksimumi dy ekstrakomunitarë që mund të lejohen. Si dhe niveli i futbollistëve shqiptarë nuk është i duhuri për t’u marrë në konsideratë nga kjo ligë. Besoj që në ligat e tjera është diçka më e lehtë. E vetmja gjë që mund të bëhet është që të gjithë komponentët e futbollit aty në Shqipëri të punojnë në mënyrë që të rritet niveli i futbollit shqiptar. Të mos jetë vetëm Skënderbeu si qershia mbi tortë, por të jenë edhe skuadrat e tjera që kanë potencial për të përfaqësuar futbollin shqiptarë në arenën ndërkombëtare. Dhe mbi të gjitha, të eliminohet absolutisht ajo që është plaga më e vjetër e futbollit shqiptar. Duhet të dalin komplet nga problematikat me ndeshjet e kombinuara ose me bastet.

TCH: Cili është një talent i veçuar nga Shqipëria?

Igli Tare: Isha dy ditë në Tiranë dhe pata mundësinë që të ndiqja edhe U19 me Malin e Zi dhe nuk pashë diçka të veçantë. Nuk i ndjek shumë nga afër prej kohës së limituar. Me informacionet që kam, janë disa lojtarë të U-17 që kanë një retrospektivë premtuese për të ardhmen, por duhet t’ia lëmë kohës. Gjëja më e mirë është që këto lojtarë të kenë mundësinë që të luajnë në kampionate më kompetitive se kampionati shqiptar. Ajo do ta ndihmonte shumë rrugën e tyre.

TCH: A keni një objektiv të ri për veten, pas arritjeve si futbollist dhe aktualisht si drejtues i një ekipi të madh?

Igli Tare: Objektivat janë gjithmonë pa limit. Ajo që duket e paarritshme, falë punës bëhet gjithmonë e arritshme. Do të kisha shumë dëshirë që ta ngrija nivelin e kësaj skuadrës për të arritur objektivat tonë që të shkojnë në Champions dhe mbi të gjitha për të luftuar këtë vit në Europa Ligë. Për të qenë protagonistë këtë vit dhe ndoshta edhe për ta fituar.

TCH: Sa herë përflitet në futbollin tonë për një frymë të re, gjithmonë përmendet emri juaj. E shihni veten si opsion për të ardhmen për të qenë drejtues i Federatës?

Igli Tare: Për të ardhmen, ndoshta po. Për momentin jo, sepse e ndjej veten akoma shumë të lidhur me fushën, me skuadrën, me futbollin e përditshëm. Kjo është diçka që më mban gjallë. Një ditë do të doja me shumë dëshirë që ta jepja kontributin edhe për futbollin shqiptar.

TCH: Deri sa të vijë ky moment, a keni ndonjë këshillë për drejtuesit aktualë të futbollit, si profesionist i kësaj fushe?

Igli Tare: Ajo që ka nevojë futbolli shqiptar është fakti që duhet të bëjë një ndryshim. Do të ishte shumë gjë e mirë për futbollin shqiptar në drejtimin e federatës. Nuk kam asnjë lloj polemike, por është diçka që do ta ndihmonte shumë edhe si lëvizje. Ndoshta me figura të reja që kanë motivim dhe dëshirë për ta çuar akoma më lart punën e njerëzve që kanë punuar deri më sot. Do të ishte diçka pozitive.

TCH: Strakosha është tashmë vlerë e shtuar e skuadrës, do të jetë e vështirë për ta mbajtur meqë përmendet edhe një ekip si Juventus?

Igli Tare: Strakosha është shumë i lumtur këtu te Lacio, për sa kohë që ka firmosur një kontratë afatgjate dhe çdo gjë ka atë rrjedhën e vet në karrierë. Ajo që është më e rëndësishmja për të është që të fokusohet te Lacio, me vazhdimësinë e tij sepse luan në një klub të madh. Me Donarumën janë të vetmit portierë në moshën 23-vjeçare që luajnë në skuadra shumë të mëdha në Itali. Besoj se karriera e tij do të ketë një vazhdimësi të gjatë, por edhe shumë të suksesshme.

TCH: Opinioni juaj për ndeshjen e fundit të Kombëtares, tashmë duket se me erën Panuçi ka nisur të lëvizë diçka…

Igli Tare: Janë ndeshje që e ndihmojnë shumë trajnerin për ta konsoliduar ekipin dhe për të njohur elementë të rinj që mund t’i afrojë për eliminatoret e europianit. Besoj se Shqipëria e ka kualitetin për të qenë favorite për të shkuar prapë në Europianin tjetër. Sepse, vetë mundësia e kualifikimit është më e madhe, duke qenë se ndodhet edhe në një vazo që e favorizon në shortin e ardhshëm. E uroj me gjithë zemër që ta arrijë sërish këtë arritje të madhe dhe kualifikimi në Francë të mos jetë një gjë e veçantë, por të ketë vazhdimësi. Sepse kjo do ta ndihmonte shumë lëvizjen e futbollit shqiptar në të ardhmen.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA