Krimet e Rënda, 25 vjet burg të arratisurit nga burgu i Trikallas

14/11/2017 16:27

Gjykata e Krimeve të Rënda dënoi në mungesë Klement Çalën, njëri nga protagonistët e arratisjes së bujshme nga burgu i Trikallas, në Greqi.

Gjykata e dënoi Çalën me burgim të përjetshëm, por për shkak të aplikimit të gjykimit të shkurtuar, ai përfitoi një zbritje të dënimit duke marrë 25 vjet burgim.

Prokurori Besnik Muçi i tha Gjykatës së Shkallës së Parë se Klement Çala ishte mes 8 shqiptarëve që u arratisën në mars 2013, gjatë të cilës ngelën të plagosur 2 oficerë të policisë së burgjeve.

Të dënuarit, sipas materialit të përcjellë nga prokuroria greke, së bashku me disa shtetas të tjerë prenë me sharrë hekurat e qelive dhe më pas dolën në tarracë, nga ku qëlluan kundër policisë.

Më herët për këtë arratisje janë gjykuar nga Krimet e Rënda në Shqipëri Ilir Kupa dhe Fatos Sulaj.

Top Channel