Kupa e Mbretit, Deulofeu udhëheq Barçën drejt fitores

25/10/2017 10:55

Gerard Deulofeu ishte njeriu i ndeshjes, teksa dha asist për golin e parë dhe shënoi vet të dytin, kur Barcelona mposhti ekipin e kategorisë së tretë, Murcia, 3-0 në takimet e Kupës së Mbretit.

Barcelona e nisi mbrojtjen e këtij trofeu pa yje të tillë si Messi, Iniesta apo Suarez, ndërsa mbrojtësi Vermaelen dhe portieri Cillessen luajtën për herë të parë këtë sezon.

Deulofeu ishte arkitekti i golit të avantazhit dy minuta para fundit të pjesës së parë, kur krosoi nga e djathta për Paco Alcacer, autor i golit. Ky ishte edhe goli i parë për sulmuesin, i cili nuk ka gjetur hapësirat e mjaftueshme nën drejtimin e trajnerit Ernesto Valverde te Barça.

Ishte sërish produkti i akademisë katalanase, Deulofeu, i cili u rikthye te Barça këtë verë pas 4 vitesh huazime, shënoi golin e dytë në minutën e 52-të, kur dribloi 3 mbrojtës dhe në fund mposhti edhe portierin kundërshtar. Goli i tretë u vendos nga Jose Arnaiz, i cili debutonte për herë të parë me ekipin e parë.

Në ndeshjet e tjera të Kupës së Mbretit, Sevilla mposhti 3-0 Cartagenën, Malaga humbi 1-2 ndaj Numancias, Valencia fitoi 2-0 ndaj Zaragozës, Alaves mposhti 1-0 Getafen, ndërsa Betis fitoi 2-1 ndaj Cadiz.

Top Channel