Shqipëria sipas Pashk Përvathit

03/10/2017 00:00

Një udhëtim në Telajo nga Alpet e Veriut deri në bregdetin e Jonit në 60 kuadro të cilat përbëjnë ekspozitën e 39-të të artistit Pashk Pervathi.

Në një dëshirë për të sjellë në telajo bukurinë shqiptare, ai e ka quajtur punën e tij të 5 viteve të fundit “Shqipëria, vendi i bukur”.

“Është një lëvizje për të kërkuar vendet e bukura. Kam shkuar në trevat, ku njerëzit i kanë lënë këto vende, sepse ato janë më të padëmtuara nga dora e njeriut dhe duke i sjellë artistikisht, duke kërkuar një produkt emocional, estetikisht të bukur, është krijuar një gjendje në ekspozitë saqë i vura titullin ‘Shqipëria, vend i bukur”, u shpreh piktori Pashk Pervathi.

Vepra të gëzueshme, me ngjyra, ashtu siç janë stinët e vitit që dominojnë peizazhet e artistit.

“Në këtë ekspozitë ka një veçanti: janë të gjitha stinët, të gjitha trevat: diku gjendesh përbri një mali të lartë në Valbonë dhe pastaj pak më tutje tek laguna e Vainit, diku është bregu i Jonit e përbri është lumi i Matit”, tregon Pashk Pervathi.

Por më së shumti mes stinësh, gjen vjeshtën, të preferuarën e tij.

“Mbetet peizazhi i vjeshtës kryesisht për të gjithë atë pasuri kromatike dhe muzikalitetin që përcjell vjeshta dhe ti ta përcjellësh në telajon tënde. Është një emocion i madh të pikturosh në vjeshtë”, thotë Pashk Pervathi.

Shqipëria në miniaturë e Pashk Pervathit, do të qëndrojë e hapur deri në datën 8 tetor në Muzeun Historik Kombëtar.

Top Channel