Demonstrimi i “iPhone”-it të ri nuk shkoi ashtu siç pretendonin drejtuesit e “Apple”, njëri prej të cilëve u përball me një moment të sikletshëm. Përgjegjësi i “softëare”-t, Craig Federighi tentoi ta hapte telegonin përmes identifikimit të fytyrës, apo “Face ID”, por nuk ia doli dot.

Pavarësisht kësaj, BBC thotë se “iPhone X” është mjaft interesant, me gjithë çmimin e kripur prej 999 dollarësh. Risia e madhe e telefonit më të shtrenjtë të këtij lloji është pikërisht identifikimi i fytyrës, përmes të cilit celulari zhbllokohet e mund të përdoret normalisht. Kjo zëvendëson sensorin e gjurmës së gishtit.

Ka gjithashtu “emoji” të animuara, më të shumëllojshme se më parë, dhe me një veti të re: i përgjigjen gjestikulacionit të fytyrës së përdoruesit. Nëse ti qesh, qesh edhe derrkuci në ekran, e nëse fryn faqet, ashtu përgjigjet edhe ai. Për më tepër, ato mund t’iu dërgohen edhe miqve, nëse dëshiron.

Ndaj, – thotë Dave Lee i BBC-së, – mendoj se “iPhone X” ka për të qenë tmerrësisht popullor. Ky, sipas tij mund të jetë fillimi i një ere të re të “iPhone”-ve. “999 dollarë janë goxha parà, por njerëzit do të flasin shumë për këtë telefon”.

Modeli i ri u prezantua 10 vite pasi ish-shefi ekzekutiv i kompanisë, Steve Jobs tregoi “iPhone”-in për herë të parë. Varianti i fundit është i pajisur me një ekran me rezolucion më të lartë, si dhe me teknologjinë e karikimit me valë. Përveç “iPhone X”, “Apple” paraqiti edhe dy modele të tjera, “iPhone 8” dhe “iPhone 8Plus”. Modeli i mëparshëm “iPhone 7Plus” u shit me një çmim bazë prej 769 dollarësh.

Top Channel