Teatri Kombëtar do të zhvendoset në Teatrit Turbina deri në muajin shkurt, por se kur fillon puna për rindërtimin e Teatrit të ri Kombëtar në vendin ekzistues nuk ka ende një kohë të saktë.

“Mua më ka ardhur urdhri i ngritjes së grupit të punës për zhvendosjen e Teatrit Kombëtar drejt teatrit Turbina, që mbaron në muajin shkurt. Për investime në skenën e Teatrit Kombëtar mesa di unë në programin e qeverisë zoti Kryeministër ka thënë që ne fillojmë shumë shpejt ndërtimin e teatrit të ri kombëtar”, thotë Hervin Çuli, drejtor i TK.

Ndërkohë, buxheti i akorduar për Teatrin Kombëtar këtë vit është 140 milionë lekë, por pothjuajse gjysma e projekteve janë të financuara nga Ministria e Kulturës dhe jo produksione të teatrit.

“Unë kam për detyrë si drejtor të selektoj dhe të jap hapësira kur me krijohen hapësira nga projektet e Teatrit Kombëtar për të pasur sa më tepër larmi në skenën e Teatrit Kombëtar. Padyshim që kemi një buxhet më të lartë këtë vit, kemi rreth 20 milionë lekë të vjetra më tepër”, deklaron Çuli.

Kalendari i sezonit të ri përmban gjithësej dy drama shqipe përkatësisht nga Ferdinant Hysi dhe Bashkim Hoxha, ndërsa dy premiera të cilat priten me kërshëri nisur edhe nga emrat regjisorialë janë Frankenshtain që do të vihet nga Ilir Bokshi dhe “Engjëjt e Amerikës”, nga regjisori Arben Kumbaro.
 
“Besoj që dy veprat e huaja janë shumë ambicioze, edhe e regjisorti Bokshi edhe e Z. Kumbaro”, shprehet drejtori i TK.

Teatri Kombëtar do të ketë gjithashtu edhe tre bashkëproduksione me Korçën , Shkodrën dhe Durrësin.

Top Channel