“Mjelmat…”, në Korçë

13/06/2017 00:00

Për herë të parë, një balet i plotë do të shfaqet për publikun korçar në përurimin e skenës së re të teatrit “Andon Zako Çajupi”.

E për një event të tillë dhe për një publik që artin e njeh mirë është zgjedhur “Liqeni i Mjelmave”, baleti i cili mori për disa mbrëmje rresht vëmendjen e publikut të kryeqytetit.

Zana Çela, drejtoreshë e TKOB-së, tha: “Opera tashmë do të jetë kudo. Opera dhe baleti, sepse opera nuk është një ishull i izoluar vetëm për një kategori spektakorësh dhe vetëm në Tiranë. Ne do të jemi kudo sepse të gjithë shqiptarët kanë të drejtë të shijojnë kryeveprat klasike. Këtë radhë është radha e “Liqenit të Mjelmave” dhe duam që ta çojmë në Korçë për ta shijuar korçarët. Jemi në fakt të ftuar me rastin e rihapjes së tyre, pas një periudhe rikonstruksioni dhe jemi shumë të lumtur që do të shkelim ne të parët në atë skenë”.

Ndërsa Enada Hoxha, drejtoreshë baleti në TKOB, shprehet: “Për ne është vërtetë bukur sepse shkon baleti me një shfaqje të plotë. Ne më parë kemi lëvizur, por me gjëra të vogla, koncertale, por që të shkojë baleti dhe në një skenë të re, është vërtetë bukur e kur është shfaqja “Liqeni i Mjelmave”, që është një shfaqje që të tërë po e presin me shumë kënaqësi, sepse pati një jehonë të mirë. Mua më vjen mirë që do e kem prapë fatin të kërcej në Korçë, sepse unë jam vetë korçare dhe kam një tjetër ndjesi”.

“Liqeni i Mjelmave” do të shfaqet për publikun e Korçës më 18 dhe 19 qershor.

Top Channel