“Shqiptarët do t’i fitojnë të gjitha betejat pasi të mbarojnë betejën e fundit mes tyre”. Thënia emblematike e Mithat Frashërit, apo njohur në vepra edhe si Lumo Skëndo, është e njëkohëshme me ditët e sotme.

 “Pse jemi kaq të varfër? Po humbasim?” ngrinte shqetësimin Lumo Skëndo në veprën e tij, e cila është në përputhje të plotë me një intelektual për t’u marë shembull dhe çështjet madhore që ai ngrinte.

Vizioni i tij është sot i aksesueshëm lehtësisht pas botimit të Veprës Madhore të tij nga Instituti i Studimeve Historike “Lumo Skëndo”.

“Një vepër kryesisht kulturore që përfshin në vëllimin e parë publicistikën. Në vëllimin e dytë studimet dhe esetë historike, kulturore dhe politike. Në vëllimin e tretë janë krijimtaria e tij”, thotë shkrimtari dhe historiani, Uran Butka.

Në këtë vëllim ka dokumenta të publikuara për herë të parë.

“Janë dokumenta të cilat ndodhen në Arkivin e Shtetit dhe në arkivat e tjera të Londrës, të Gjenevës, të Romës e të Stambollit. Në libër lexuesit do të gjejnë për herë të parë procesverbalin e Kongresit të Manastirit”, shton Butka.

Mithati ishte një nga figurat e fshira të komunizmit, por vepra e tij gjithmonë e gjeti shtegun për tek lexuesi.

“Unë mendoj që kjo vepër do të na sjellë Mithat Frashërin si udhëheqësin, themeluesin e njërës prej rrymave kryesore, nacionalizmit demokratik shqiptar”, thotë historiani Beqir Meta.
“Faik Bej Konica e shpallte Lumo Skëndon si më eruditin dhe më të kulturuarin mes eruditëve të rinj”, thotë Agron Tufa, Drejtor i Institutit të Studimeve të Krimeve të Komunizmit.

I përcaktuar si një parashikues gjenial, por edhe model i kulturës shqipe, aq sa edhe një politikan që nuk ka patur kurrë dyshim në identitetin e tij dhe dëshirën për investim perëndimor në Shqipëri.

“Problemet që ngre Mithat Frashëri dhe Shqipëria që ai përshkruante në atë kohë kanë ndryshuar shumë pak”, thotë Afrim Krasniqi, drejtor i Institutut të Studimeve Politike.

Nëpërmjet kësaj vepre edhe të rinjtë do të njohin anëtarin e një nga familjeve të fundit fisnike që i ka ngelur Shqipërisë.

Top Channel