Rilind “Guri i Legjendave”

15/04/2017 00:00

Ai që pak ditë më parë nga kryeministri Rama u quajt “kartëvizita evropiane e Përmetit të rilindur” do t’i nënshtrohet projekteve transformuese.

Bëhet fjalë për “Gurin e legjendave” apo i njohur ndryshe si simboli i qytetit të Përmetit që do të jetë tashmë pjesë e projekteve të Rilindjes Urbane. Ministrja e kulturës Mirela Kumbaro ka inspektuar nga afër nisjen e punimeve që parashikojnë rikualifikimin urban të hapësirës rreth Gurit, restaurimin e rrënojave të hershme mbi të, sistemimin e shkallëve për një akses të sigurt të vizitorëve dhe ndriçimin e tij për të nxjerrë në pah pamjen madhështore të kësaj mrekullie natyrore edhe pas perëndimit të diellit.

“Jemi në majë të simbolit dhe të ëmblesmës së qytetit të Përmetit ajo që njihet nga të gjithë si guri i Përmetit që në fakt nuk është vetëm një monument i rrallë natyre po dhe monument kulture pikërisht për shkak të rënojave të kishës së vjetër që mbart mbi vete. Po është dhe një pikë e jashtëzakonshme panoramike. Është projekt që do të bëjë ndryshimin e ngjyrave dhe do ta kthejë në atraksion të fortë”, tha ministrja Kumbaro.

Kryetari i bashkisë Përmet Niko Shupuli është shprehur se veç kësaj ndërhyrje do të kryhen edhe gërmime arkeologjike në rrënojat që ndodhen në majë të gurit, zbulime të cilat do të tërhiqnin edhe më tepër vëmendjen e turistëve të cilët edhe sot nuk mungojnë.

“Shpresoj që ky projekt do përfundojë së shpejti dhe do ta inaugurojmë së bashku atë ndriçim të mrekullueshëm skenografik që është brenda projektit të paraqitur nga Ministria e Kulturës”, thotë Shupuli.

Projekti për restaurimin e Gurit të Përmetit pritet të përfundojë në fillim të muajit qershor. Pak ditë më parë, Ministrja Kumbaro njoftoi se një tjetër investim i rëndësishëm do të bëhet në qytet siç është, reastaurimi i Shtëpisë së Kongresit në Përmet.

Top Channel