Protestë për rrugën në Bulqizë

08/03/2017 00:00

Banorët e fshatrave Kodra e Danit, Lepurakë dhe Dushe të Njësisë Administrative Fushë-Bulqizë protestuan për gjendjen e mjerueshme të rrugës automobilistike të këtij fshati.

Ata bllokuan në mënyrë simbolike hyrjen e rrugës, ku çdo ditë kalojnë autobusët që transprtojnë punëtorët e minierave.

“Rruga është në gjendje drastike dhe është burim aksidenti. Nuk është vënë dorë në asnjë stinë në këtë rrugë. Këtu kalojnë 3 furgona që transportojnë fëmijë për në shkollë. Për 3 kilometër rrugë, duhen 30 minuta. Imagjino të transportosh një të sëmurë”, thonë banorët.

Drejtuesit e automjeteve thonë se për këtë rrugë nuk është marrë asnjë masë prej vitesh, pavarësisht taksave që paguhen rregullisht: “U bënë 20 vjet që ankohemi. Rruga është bërë në vitin 1973 dhe që atëherë nuk është vënë dorë kurrë. Ne votojmë kot”.

Banorët thonë se nuk do të marrin pjesë në votime dhe se asnjë nga partitë të mos u drejtohet për të kërkuar votën dhe kërcënojnë se do të bllokojnë rrugën nacionale duke protestuar deri në zgjidhjen e problemit.

Top Channel