“Mehmeti” vjen nga Kosova

01/03/2017 00:00

Ndërsa thuhet që nuk ka dramë shqipe, një regjisor elite maqedonas  Slobodan Unkovsi sjell në teatrin tonë kombëtar “Pasardhësi”-n e Ismail Kadaresë.

Vepra, sipas një adoptimi të Goran Stefanovskit, u ngjit në skenë nga Teatri Kombëtar i Kosovës dhe bashkë me të u soll edhe katarsisi që në të shumtën e herës në Tiranë nuk sjell kështu.

“Nuk di shumë për teatrin bashkëkohor në Shqipëri, por nëse këtu pati katarsis, jam shumë i lumtur për këtë. Më pëlqen kjo periudhë dhe kjo situatë e paqartë e historisë. Është material shumë i mirë për të bërë një performancë dhe misteri i vetëvrasjes së “pasardhësit” ende nuk është zgjidhur”, thotë regjisori Slobodan Unkovski.

Shpesh, i cilësuar si më i miri në Ballkan, Unkovski sjell në kujtesë një interpretim të historisë e Shqipërisë, Ballkanit po ashtu dhe si reflektohet sot ajo, nëpërmjet një teatri bashkëkohor.

“Kam menduar për këtë dramë për 4 vite. Madje e kam propozuar njëherë në këtë teatër, por pasi propozimi im erdhi nuk mora kurrë një telefonatë. Mbase periudha këtu është ende e rrezikshme dhe nuk është e lehtë për hapje”, thotë ai.

Në një orë e 40 min vihen re kalime të shpeshta nga një skenë tek tjetra, pastaj disa pjesë jashtë kontekstit historik siç është një selfie, apo krijime artistike përtej veprës në 10 përqindëshin e shfaqjes, sepse ky është koncepti i Unkovskit për Kadarenë, i Çun Lajçit, apo 16 aktorëve të tjerë me një disiplinë të hekurt artistike.

“Mua më pëlqen pjesa, më pëlqen teksti, më pëlqen të zbërthej problemet e karaktereve, të njerëzve, ideve dhe estetika ime bazohet në mënyrën time të të kuptuarit të teatrit. Njerëzit që bëjnë teorinë e teatrit kanë nevojë të kategorizojnë gjithçka brenda një folder, unë punoj në teatër”, shton regjisori maqedonas.

Skenografia ishte salloni i vilës së “Pasardhësit”, i papërmendur  asnjëherë me emrin Mehmet Shehu dhe kjo ishte vënia e vetme, pasi shfaqja nuk do të ketë një takim tjetër me publikun e gjerë.

Top Channel