Presidentët amerikanë, në foto

08/11/2016 00:00

Të njohësh presidentët amerikanë që kanë bërë historinë e shekullit të XX, në momentet e tyre epike, intime apo të shkujdesura, përbën gjithmonë kërshëri.

Kësaj, shtuar edhe mundësinë e njohjes nëpërmjet lentes së aparatit të George Tames, fotoreporterit shqiptaro-amerikan të “New York Times”.

“Presidentë amerikanë dhe marrëdhëniet shqiptare” është ekspozita e parë në Shqipëri e Tames, që bën bashkë presidentët, që nga Ruzvelti e deri te Bushi, shoqëruar me përshkrimet e gazetave shqiptare për secilën presidencë amerikane.

“Mendova se është shumë e rëndësishme që të bëhej një lidhje ndërmjet asaj se, çfarë ka qenë jeta e tij, duke u rritur si një emigrant shqiptaro-grek, e deri te fotografimi i presidentëve amerikanë, që i kemi sjellë këtu”, tha Stephanie Tames, shkrimtare, vajza e George Tamez.

Nikson duke tërhequr çorapet, Karter duke notuar në pellgun e tij, apo imazhi i paharrueshëm i varrezës kombëtare “Arlington”. Tames vështronte me aparat, ndërsa ndarja ndërmjet vendeve kapitaliste dhe komuniste thellohej. Ashtu si edhe me Shqipërinë. Nëpërmjet kësaj pune identifikohen sesi këto identitete historike u përthyen nën shtypin komunist tonin.

“Fotografitë e Tames janë vetëm një pjesë e kësaj ekspozite. Ne kemi një grup të tërë studentësh, të cilët përgjatë verës kanë kërkuar në arkivat e Bibliotekës Kombëtare gazeta të ndryshme, që nga ‘Bashkimi’, ‘Zëri i Popullit’, ‘Luftëtari’ etj. Pyetja kryesore e kësaj ekspozite është se, si janë formëzuar mendjet tona”, tha Lori Amy, drejtore akademike dhe koordinatore e të drejtave të njeriut “OTTOnomy”.

Imazh dhe histori, në një ekspozitë që vjen në datën kur u themelua Partia Komuniste në Shqipëri, si dhe kur Amerika zgjedh presidentin e ri të saj.

Top Channel