Hong Kong, ngordh panda më e vjetër në botë

17/10/2016 00:00

Jia Jia, panda gjigante më e vjetër në botë mes atyre që nuk jetojnë në habitatin natyror, ngordhi në Kopshtin Zoologjik të Hong Kongut në moshën 38-vjeçare, ekuivalente me 100 vite të njeriut.

Në fakt kanë qenë autoritetet e strukturës, ato që vendosën t’i jepnin fund vuajtjeve të kafshës, e cila nuk ishte më në gjendje të ecte, e prej dy javësh nuk hante asgjë. Shëndeti i saj ishte përkeqësuar ndjeshëm, siç bënë të ditur drejtuesit e “Ocean Park” në Hong Kong.

Nga 10 kilogramë që ishte më parë, panda kishte humbur peshë në më pak se 3 kg. E lindur në pyjet kineze të Siçuanit në 1978-n, Jia Jia, që përkthehet “e mirë”, iu dhurua Hong Kongut në 1999-n, dy vite pas fundit të dominimit britanik në qytetin shtet.

Diplomacia e pandave është një prej instrumentave më të përdorur të Pekinit, që ua jep ato parqeve të shteteve me të cilat kërkon të përmirësojë marrëdhëniet. Pandat janë tepër të rrezikuara, pasi pjesa më e madhe e habitatit të tyre natyror është shkatërruar. Një studim i qeverisë kineze në vitin 2014 vlerësoi se, 1.864 panda jetojnë në natyrë, rreth 17% më pak sesa në vitin 2003.

Top Channel