Mrekullia në një tragjedi! Foshnja shpëtohet nga barku i nënës së vdekur pas sulmit izraelit në Gaza. Edhe babai dhe motra 3 vjeçare humbën jetën

22/04/2024 18:38

Sabreen nga Gaza vdiq para se të mund të shikonte në sy foshnjën e saj, të cilën e kishte në bark për shtatë muaj e gjysmë.

Ishin ditë e netë frike të vazhdueshme, por Sabreen shpresonte se fati i familjes do të shpëtonte derisa të mbaronte lufta. Ai fat u zhduk në zhurmën dhe zjarrin e një shpërthimi një orë para mesnatës së 20 prillit.

Izraelitët hodhën një bombë në shtëpinë e familjes al-Sakani në Rafah, ku Sabreen, së bashku me burrin e saj dhe vajzën tjetër të çiftit – Malak tre vjeçare – ishin në gjumë.

Sabreen pësoi lëndime të mëdha dhe burri i saj dhe Malak u vranë, por foshnja ishte ende gjallë në barkun e nënës së saj kur punonjësit e shpëtimit arritën në vend. Ata e çuan Sabreen në spital, ku mjekët kryen një operacion urgjent cezarian për të sjellë në jetë fëmijën. Sabreen nuk mundi të shpëtojw, por mjekët punuan për të ringjallur foshnjën, duke i prekur butësisht gjoksin për të stimuluar frymëmarrjen.

“Ajo ka lindur në shqetësime të rënda të frymëmarrjes,” tha Dr Mohammed Salama, kreu i njësisë neonatale të urgjencës në Spitalin Emirati në Rafah. Por foshnja – e cila peshonte vetëm 1.4 kg i mbijetoi sprovës së lindjes së saj.

“Por situata është ende në rrezik. Kjo sindromë e shqetësimit të frymëmarrjes është shkaktuar fillimisht nga lindja e parakohshme. Ky fëmijë duhet të ishte në barkun e nënës në këtë kohë, por asaj i është hequr kjo e drejtë.”

Mjeku pret që ajo të qëndrojë në spital deri në një muaj. “Pas kësaj do të shohim largimin e saj… këtu është tragjedia më e madhe. Edhe nëse ky fëmijë mbijetoi, ajo lindi jetim,” tha Dr Salama.

Motra e saj e vdekur Malak kishte dashur që ajo të quhej Rouh, që do të thotë shpirt në arabisht. Por ajo është quajtur Sabreen, në kujtim të nënës së saj.

Top Channel