Përmbysje dhe ripërmbysje, Milani mund Sasuolon

02/10/2016 00:00

Një ndeshje me emocione dhe surpriza ka qenë përballja mes Milanit dhe Sasuolos. Kuqezinjtë kanë dalë triumfuese me rezultatin 4-3 duke rikuperuar brenda 8 minutave dizavantazhin prej dy golash të krijuar në harkun e dy minutave nga Sasuolo.

Milani ka kaluar i pari në avantazh në minutën e 9’ me gol të Bonaventuras, por formacioni i hedhur në fushë nga Eusebio Di Francesco ka befasuar kuqezinjtë duke barazuar rezultatin në 1-1 vetëm 1 minutë më pas me gol të Matteo Politano, pas një gabimi të mbrojtjes së Milanit.

Pjesa e dytë ka qenë ajo edhe më emocionuesja dhe dramatikja, Sasuolo ka kaluar në një avantazh të dyfishtë brenda dy minutave, me anë të Francesco Acerbi në 54’ dhe Lorenzo Pellegrini në të 56’.

Por kuqezinjtë nën drejtimin e Montelas nuk u dorëzuan, Niang në minutën e 68’ me zgjuarsi ka fituar një 11-metërsh të shkaktuar nga Luca Antei.

Kolumbiani Bacca ekzekutoi në mënyrë perfekte penallti duke e dërguar në të cepin e majtë, ndrësa Andrea Consigli u hodh në krahun tjetër.

Vetëm 4 minuta më pas ka ardhur edhe goli i barazimit nga ana e Manuel Locatellit. Ende pa e marrë mirë veten nga dy golat radhazi të pësuar Sasuolo pëson edhe golin e nokautit, Gabriel Paletta në të 77’ ka shënuar golin e fitores.

Top Channel