Thaçi: Ja projektet e Qeverisë së re

27/11/2014 00:00

Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi e ka njoftuar kabinetin qeveritar
për koalicionin e ri qeverisës dhe për formimin e shpejtë të kabinetit
të ri.

Thaçi foli për projektet e reja që do të zbatojë qeveria e re.

“Do të vazhdojmë projektet dhe do të kemi edhe projekte të reja si institucione të ardhshme të Republikës së Kosovës. Vendit do t’i japim institucione stabile, demokratike, me njerëz kredibilë, institucione të dinjitetshme. Projektet e ofruara para qytetarëve, do të punojmë maksimalisht për t’i realizuar, gjë që kam edhe besim të plotë”, u shpreh Thaçi.

Thaçi ka thënë se koalicioni i ri qeveritar do të krijojë hapësirë të mjaftueshme bashkëpunimi edhe për opozitë, ndërsa ka premtuar bashkëpunim edhe shoqërinë civile dhe mediat.

Në mbledhjen e kabinetit qeveritar, zëvendëskryeministrja Edita Tahiri njoftoi se është miratuar unanimisht draft-marrëveshja mes Kosovës dhe Serbisë për çështjet e sigurimit të automjeteve, e cila pas nënshkrimit në Bruksel, do të mundësojë uljen e tarifave për sigurimin e automjeteve.

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Fadil Ismajli ka kërkuar nga qeveria një shtyrje të afatit për pranimin e ofertave për ndërtimin e Termocentralit “Kosova e Re” pasi ka paralajmëruar se ka të interesuar për këtë projekt.

“Kemi pranuar një shkresë nga këshilltari i transaksionit dhe njëri prej investitorëve, i cili përfundimisht ka shprehur gatishmërinë që të dorëzojë ofertë për ‘Kosovën e Re’. Ai ka kërkuar 4 ditë shtyrje që donë të thotë ka qenë 15 dhjetor ndërsa është kërkuar shtyrja deri më 19 dhjetor. Pra më 19 dhjetor ne presim ofertë për ‘Kosovën e Re’”, tha Ismajli.    
Kryetari i komisionit qeveritar për verifikimin e pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Agim Çeku ka njoftuar kabinetin se brenda këtij viti do të përfundoj i gjithë procesi i verifikimit të veteranëve, invalidëve dhe dëshmorëve të luftës së UÇK-së.

Në këtë mbledhje ministri i Infrastrukturës Fehmi Mujota ka kërkuar nga Ministria e Planifikimit Hapësinorë dhe ajo e Financave që ta përcjellin ritmin e shpronësimeve në autostradën Prishtinë-Shkup, pasi sipas tij për vitin e ardhshëm pritet që të ndërtohen 22 kilometra të reja kësaj rruge.

Top Channel