“Shpërthen” Reali, zgjohet Bale. Ronaldo tripletë

31/10/2013 00:30

Gareth Bale arrin më në fund të tregojë diçka në Madrid, pas transferimit prej rreth 100 milionë eurosh nga Tottenham gjatë verës së lënë pas.

Uellsiani shënoi 2 herë, po aq sa dhe Benzema, ndërkohë që Cristiano Ronaldo shpërtheu me një “tripletë”, teksa Real Madrid turpëroi Sevilla-n 7-3 në “Santiago Bernabeu”, në ndeshjen e vlefshme për javën e 11 të La Liga-s.

Bale luante për herë të parë si titullar në “Bernabeu”, duke shfaqur një impakt të menjëhershëm me avantazhin e dyfishtë që i dhuroi “Los Blancos”-ve në vetëm 30 minuta lojë.

Ronaldo trefishoi rezultatin në pjesën e parë, por Sevilla u duk sikur nuk donte të dorëzohej, duke shënuar 2 herë, me anë të Rakitic (penallti) dhe Carlos Bacca.

Në pjesën e dytë të takimit, Bale dhuroi edhe një asist për Karim Benzema, për golin e 4 të “merengues”-ve, përpara se Ronaldo të shënonte të dytin personal të tij dhe të pestin për Real.

Rakitic shënon sërish për miqtë, pas një gjuajtjeje të fuqishme nga jashtë zone, por shpërdoroi një tjetër rast më vonë, nga pika e bardhë e 11-metërshit.

Në fund, Ronaldo kompleton “hat-trick”-un e tij, ndërsa Benzema vulos shifrat në 7-3, pasi më parë Sevilla kishte mbetur me 10 lojtarë, pas kartonit të kuq për Stephane Mbia, 14 minuta nga fundi i takimit.

Në këtë takim, Xabi Alonso zhvillon takimin e parë për këtë sezon me madrilenët, duke u futur si zëvendësues në pjesën e dytë. Në takimet e tjera, Valencia humbi 2-1 në transfertën e Almerias, Valladolid barazoi 2-2 me Sociedad, ndërsa Osasuna mposhti 3-1 Vallecano-n.

Top Channel