Egnatia zbret nesër në fushë për një sfidë historike në fazën e ligës së Conference League.

Për herë të parë, një klub shqiptar merr pjesë në këtë fazë të kompeticionit, ndërsa për skuadrën rrogozhinase kjo është arritja më e madhe europiane. Egnatia është gjithashtu i vetmi klub shqiptar që vijon ende garën në kupat e Europës. Në konferencën për shtyp, trajneri Nevil Dede ka shprehur besimin te skuadra, duke theksuar se diferencat financiare nuk përkthehen domosdoshmërisht në diferenca të mëdha në fushë.

“Përpos diferencës financiare, jam i bindur që diferencat në fushë janë të vogla. Ambicia jonë sportive nuk do të ndalet kurrë. Se sa do t’ia dalim dhe sa të fortë janë kundërshtarët, mendoj se vetëm fusha do ta tregojë”, u shpreh Dede.

Tekniku theksoi edhe rëndësinë e përfaqësimit të futbollit shqiptar në këtë kompeticion, duke shprehur krenarinë për skuadrën dhe klubin.

“Ne nuk përfaqësojmë vetëm veten. Jam krenar që jam pjesë e Egnatias dhe drejtues i këtyre djemve. Po aq krenarë do të jenë nesër edhe shqiptarët, sepse Egnatia përfaqëson futbollin shqiptar në tërësi”, deklaroi trajneri.

Sa i përket gjendjes së skuadrës, Dede konfirmoi se grupi është në gjendje të mirë në përgjithësi, pavarësisht disa shqetësimeve fizike. Mungesa e Bakajokos mbetet një lajm i keq për ekipin, pasi bëhet fjalë për një dëmtim që kërkon një periudhë të gjatë rikuperimi.

“Gjendja e skuadrës është shumë e mirë, përveç dëmtimit të Bakajokos, që na mërzit sa herë e mendojmë, pasi është një mungesë e gjatë. Fernando është gjithashtu pjesë e skuadrës. Nuk është në 100% të gjendjes së tij, por jam i bindur se do të jetë i gatshëm të na ndihmojë. Kemi edhe rikthimin e Bitrit, që e patë në Laç. Në tërësi, gjendja e grupit është e mirë”, përfundoi Nevil Dede.

Top Channel