Egnatia përgatitet për një mbrëmje historike në futbollin shqiptar. Të enjten në mbrëmje, në Arenën Kombëtare të Tiranës, skuadra rrogozhinase do të luajë ndeshjen e saj të parë në fazën e ligës së Conference League, një arritje e paprecedentë për klubin dhe një moment historik për futbollin shqiptar.

Egnatia është skuadra e vetme shqiptare që vijon ende aventurën në kupat e Europës dhe synon ta nisë këtë rrugëtim të rëndësishëm me një rezultat pozitiv përpara tifozëve të saj.

Në konferencën për shtyp, trajneri Nevil Dede dhe kapiteni Albano Aleksi kanë shprehur besimin te skuadra, duke theksuar rëndësinë e sfidës së parë dhe ambicien për të konkurruar denjësisht në këtë kompeticion.

“Përpos diferencës financiare, jam i bindur që diferencat në fushë janë të vogla. Ambicia jonë sportive nuk do të ndalet kurrë. Se sa do t’ia dalim dhe sa të fortë janë kundërshtarët, mendoj se vetëm fusha do ta tregojë”, u shpreh Dede.

Trajneri theksoi se Egnatia nuk përfaqëson vetëm klubin e saj, por edhe futbollin shqiptar në arenën ndërkombëtare. “Ne nuk përfaqësojmë vetëm veten. Jam krenar që jam pjesë e Egnatias dhe drejtues i këtyre djemve. Po aq krenarë do të jenë edhe shqiptarët, sepse Egnatia përfaqëson futbollin shqiptar në tërësi”, deklaroi tekniku.

Nga ana e tij, kapiteni Albano Aleksi e cilësoi këtë një ndeshje të rëndësishme jo vetëm për Egnatian, por për gjithë futbollin shqiptar. Ai nënvizoi se nisja e mirë në këtë fazë mund të jetë vendimtare për objektivat e skuadrës.

“Është një ndeshje e rëndësishme për futbollin shqiptar, përpos Egnatias, pasi është hera e parë që ne luajmë në fazën e ligës së Conference League. Shpresoj ta nisim mirë, sepse ndeshja e parë ka shumë rëndësi. Luajmë në shtëpi dhe uroj të ketë sa më shumë tifozë”, u shpreh kapiteni. Aleksi theksoi se skuadra duhet ta përballojë këtë aventurë hap pas hapi, pa dalë përtej objektivit të ndeshjes së radhës.

“Duhet t’i marrim ndeshjet një nga një. Shpresojmë që në fund të fazës të kemi bërë sa më mirë dhe të kemi grumbulluar sa më shumë pikë, në mënyrë që të shkojmë më tej”, përfundoi ai. Sa i përket gjendjes së skuadrës, Dede bëri të ditur se grupi është në gjendje të mirë në përgjithësi. Mungesa e Bakajokos mbetet një shqetësim për shkak të dëmtimit afatgjatë, ndërsa Fernando nuk është ende në gjendjen e tij optimale, por pritet të jetë në dispozicion për të ndihmuar ekipin. Në grup është rikthyer edhe Bitri.

Egnatia synon kështu të shfrytëzojë avantazhin e fushës dhe mbështetjen e tifozëve për ta nisur me këmbën e mbarë një aventurë që tashmë përbën një kapitull të ri në historinë e klubit dhe të futbollit shqiptar.

Top Channel