Berisha-Ramës: Të heqim imunitetin

25/07/2012 00:00

Kryeministri Sali Berisha i bëri sërish sot thirje kryetarit të Partisë Socialiste, Edi Rama për të votuar heqejn e imunitetit në datën 6 gusht.

Gjatë mbledhjes së qeverisë, Berisha u shpreh se, Rama do të hyjë në Guinnes, pasi është i vetmi lider opozite që e do kryeministrin me imunitet.

“Një herë kërkon kushtetutën e pakicës për të dëshmuar se ruan konceptin e sundimit të pakicës. Nuk ka koncept më fatal se ky në demokraci. Dhe pastaj, kur nuk e mbron dot këtë, thotë se korrupsioni nuk luftohet me heqje imuniteti. Si luftohet? Duke mbajtur murin e imunitetit? Unë e ftoj ta votojmë, përndryshe ai do të hyjë në Guinnes si i vetmi kryetar opozite në botë që e do kryeministrinë tij me imunitet”, deklaroi Berisha.

Berisha nënvizoi se Rama nuk e ka problemin me të, por tek mbrojtja e klubit të miliarderëve, që sipas tij bëjnë ligjin në radhët e Partisë Socialiste.

“Të gjithë e dinë se nuk e ka hallin te Sali Berisha, apo tek ministrat. Ai e ka të gjithë hallin te klubi i miliarderëve në krye të PS-së. Nëse zoti Rama mendon se korrupsioni nuk luftohet duke hequr imunitetin, harron se me Kushtetutën e pakicës e çon vendin në greminë”, theksoi Berisha.

“I bëj thirrje të mos përdorë pseudoargumeta, të mos keqpërdoret nga 3-4 vetë në partinë e tij dhe në 6 gusht të votojmë së bashku projektin e përbashkët, ku ne morëm parasysh të gjitha kërkesat e PS”, vijoi kryeministri.

Top Channel