Në ditën e fundit të mandatit të tij presidencial, para zhvillimit të
dorëzimit të detyrës të pasardhësit Bujar Nishani, presidenti Bamir Topi
i është drejtuar me një mesazh gjithë shqiptarëve. Ai thotë se në
ushtrimin e kësaj detyre jeshte përpjekur per te mbajtur premtimin e
dhënë në betimin e tij, për të qenë Presidenti i të gjithë shqiptarëve,
dhe për të vepruar me ndershmëri dhe mbi vlera qytetare.

“Gjatë mandatit tim jam ndeshur me pritshmëri më të mëdha nga publiku, me kërkesa të shumëllojshme dhe shpesh kundërshtuese, me kritika të drejta e të padrejta, me fushata denigruese apo etiketime të njëanshme. Me ndërgjegje zgjodha të lë mënjanë modelet e konfliktit formal dhe të dëgjoj e trajtoj me të gjithë seriozitetin e duhur të gjitha mendimet, kërkesat dhe kritikat racionale, duke ofruar zgjidhje kushtetuese për gjithçka që përbën interes qytetar, publik e shtetëror. Kam bindjen e thellë se shumë gjëra mund të ishin bërë më mirë nëse politika vendimmarrëse do ta përdorte pushtetin e saj të madh në mënyrë konstruktive dhe institucionale, nëse interesat e saj do të gjenin më shumë përputhje me interesat tuaja qytetare dhe nëse klasa jonë politike do të dëshmonte më shumë maturi, përgjegjësi dhe aftësi për të sjellë ndryshimet e premtuara.Shqipëria e vitit 2012 meritonte shumë më tepër progres dhe vlera evropiane, dhe kam bindjen se me këtë përcaktim gjej mbështetjen e shumicës absolute të qytetarëve të këtij vendi ”, shprehet Topi në mesazhin e tij.

“Në përfundim të mandatit kushtetues të Kryetarit të Shtetit më lejoni t’u them thote presidenti topi se ndihem krenar që pata fatin t’u përfaqësoj; që në emrin tuaj përfaqësova Shqipërinë në ngjarjen historike të anëtarësimit në NATO; që presidenca ime ishte dhe mbetet një presidencë me sjellje qytetare, tolerante dhe gjithëpërfshirëse; një Institucion, nga i cili nuk lindën konflikte por u zgjidhën konflikte, nga i cili nuk pati politikë partiake, por sjellje e vendime institucionale, nga i cili asnjë qytetar nuk u ndie i fyer, i përjashtuar apo i harruar, por gjithsecili gjeti një derë të hapur për shqetësimet, mendimet dhe nevojën e madhe të bashkëpunimit në të mirë të interesave publike e kombëtare

“Unë e uroj publikisht Presidentin për sukses e mbarësi, dhe ftoj të gjithë qytetarët, aktorët politikë dhe institucionet të jenë në mbështetje të vullnetit për përmbushjen e detyrave të tij kushtetuese!Shqipëria ka nevojë për stabilitet demokratik, për unitet dhe ikje nga ndasitë politike përjashtuese, për dialog e bashkëpunim, për reforma dhe forcim të institucioneve kushtetuese, për politika të urta, të mira dhe qytetare dhe në këtë rrugë, ka nevojë për kontributin dhe fjalën e gjithsecilit, për më shumë mirëqenie dhe demokraci cilësore e funksionale. I ndërgjegjshëm për këto nevoja dhe vlera demokratike mbetem, në mbështetje të plotë të rotacionit demokratik, energjive dhe prurjeve të reja në krye të shtetit, në institucione, në parti politike dhe në sistemin politik përfaqësues.Shqipëria dhe qytetarët e saj meritojnë më shumë”, tha Topi.

Presidenti e mbyll mesazhin e tij duke thene se postet politike e shtetërore shkojnë e vijnë, por qytetarët dhe shteti, interesat e tyre publike e kombëtare, janë e mbeten aty si pasuria më e madhe, burimi më i madh frymëzues, arsyeja më e madhe për ta kuptuar shërbimin ndaj tyre si privilegj dhe fat.

Top Channel