Berisha në Asamblenë e KiE-së

25/06/2012 00:00

Shqipëria mund t’i japë Francës leksione demokracie. Të paktën francezi Jean-Claude Mignon, që është president i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, nuk e përjashton këtë si mundësi.

Duke filluar nga 1 korriku i këtij viti Shqipëria do të marrë presidencën e radhës të Komitetit të Ministrave të Këshillit të Europës. Për Presidentin e Asamblesë, kjo nuk përbën problem.

“Unë jam francez. Franca konsiderohet si një vend me demokraci. Madje thuhet shpesh se është vendi ku lindën të drejtat e njeriut. Por, unë jam i sigurt se Franca ka cfarë leksionesh të marrë nga cfarëdo lloj vendi qoftë nga ata që janë anëtarësuar në Këshillin e Europës “, tha Mignon, president i Asamblesw Parlamentare tw KIE-s.

Përveç  takimit me presidentin Mignon, kryeministri Berisha iu drejtua Asamblesë Parlamentare. Duke shpalosur vizionin dhe përparësitë e presidencës shqiptare, kryeministri e vuri theksin te vlerat e përbashkëtat të demokracisë.

“Janë pikërisht vlerat e përbashkëta dhe universale të lirisë dhe të drejtave themelore të njeriut, të mbështetura nga demokracia, shteti ligjor dhe ekonomia e tregut të lirë dhe aspirata për paqe, zhvillim e prosperitet, që bashkojnë popujt e kombet tona të pasura në tradita të veçanta historike, kulturore, gjuhësore apo të besimit. Ndaj edhe presidenca shqiptare ka zgjedhur moton domethënëse “Të bashkuar në diversitet””, deklaroi kryeministri Berisha.

Kryeministri iu përgjigj pastaj pyetjeve të deputetëve, mbi çështje si lufta kundër korrupsionit, zhvillimi ekonomik i vendit, marrëdhëniet mes minoriteteve, fenomeni i gjakmarrjes apo të drejtat e homoseksualëve dhe deklaratat homofobe të zv/ministrit të mbrojtjes Ekrem Spahia. Në lidhje me klimën politike në vend, kryeministri përdori tone pajtuese përkundrejt opozitës.

“Tani opozita është në Parlament. Tetorin e shkuar arritëm një marrëveshje, që pothuajse është respektuar nga të dyja palët. Ne po finalizojmë reformën zgjedhore, me një frymë vërtet konsensuale. Jam i lumtur t’iu informoj se kjo reformë nisi në dhjetor dhe deri tani, komisioni i reformës ka diskutuar vetëm amandamentet e propozuar nga opozita. Sepse kërkoi të ketë iniciativën dhe ne iu përgjigjëm “po”. Ne ramë dakort me këtë. Dhe unë mendoj se ne nuk do të lodhemi kurrë duke u ofruar atyre frymën e konsensusit”.

Kryeministri iu përgjigj edhe një pyetje për raportin e Dick Martyt, duke kujtuar se qeveria shqiptare ka miratuar një ligj të posaçëm për bashkëpunimin e plotë me hetuesit e « Eulex « -it në lidhje me akuzat që ngre raporti.

Kryeministri këmbënguli për njohjen e pavarësisë së Kosovës edhe nga vendet europiane që nuk e kanë njohur ende. Gjatë 6 muajve të ardhshme presidenca shqiptare e Këshillit të Europës do të organizojë një konferencë të nivelit të lartë ku do të diskutohet mbi diversitetin në Europë, promovimin e dialogut ndërkulturor dhe rolin e arsimit dhe kontributin e të rinjve për mirëkuptimin e ndërsjelltë.

 Në këtë kontekst, një veprimtari e posaçme me fokus të rinjtë është parashikuar për përkujtimin e viktimave të Holokaustit. Shqipëria është anëtare me të drejta të plota e Këshillit të Europës që nga korriku i vitit 1995.

Ndonëse sot merr për herë të parë presidencën e radhës të Komitetit të Ministrave, Shqipëria, për ironi, gjendet nën monitorimin e Asamblesë Parlamentare, dy raportuesit e të cilës ishin përpara disa ditësh në një mision faktmbledhës në Shqipëri.

Top Channel