Zyrtare/ U penalizua nga dëmtimet, mbrojtësi konfirmon largimin e tij nga Reali i Madridit në verë

22/05/2026 18:15

Mbrojtësi austriak David Alaba do të largohet nga Real Madrid në fund të sezonit, pas përfundimit të kontratës së tij me klubin madrilen.

33-vjeçari do t’i japë fund aventurës pesëvjeçare në “Santiago Bernabeu”, ku fitoi nëntë trofe, mes tyre dy tituj të La Ligas dhe dy trofe të UEFA Champions League.

Largimi i Alabës ishte paralajmëruar prej muajsh, sidomos pas afrimeve të reja në mbrojtje nga madrilenët, përfshirë Dean Huijsen dhe Alvaro Carreras. Problemet e shumta fizike kanë ndikuar ndjeshëm në minutazhin e austriakut, i cili këtë sezon regjistroi vetëm 15 paraqitje.

Alaba vuajti disa dëmtime serioze gjatë periudhës së tij në Spanjë, përfshirë një këputje të ligamentit ACL dhe probleme të tjera në gju, që e mbajtën jashtë fushave për periudha të gjata.

Presidenti i klubit, Florentino Pérez, falënderoi mbrojtësin për kontributin e tij: “David Alaba ka fituar dashurinë e tifozëve të Real Madrid për përkushtimin dhe profesionalizmin e tij. Real Madrid do të jetë gjithmonë shtëpia e tij.”

Alaba iu bashkua Real Madridit në vitin 2021 si lojtar i lirë nga Bayern Munich dhe zhvilloi 129 ndeshje me fanellën e bardhë.

Top Channel