Urban Gen/ Duam meritokraci, por a do ta refuzonim mikun që na ofron mundësi?
Në Urban Gen të rinjtë dhe paneli i të ftuarve u përballën me një nga realitetet më të diskutueshme të shoqërisë shqiptare: Meritokracinë.
Diskutimi solli përplasje mendimesh dhe qëndrime të forta mbi sistemin arsimor, tregun e punës, nepotizmin dhe mundësitë e barabarta. Të rinjtë ngritën pikëpyetje mbi sakrificat për të ndërtuar një karrierë dhe zhgënjimin kur përballë aftësive vendosen njohjet personale.
Por, mes zërave kritikë dhe zhgënjimit ndaj sistemit, nuk munguan as të rinjtë që mbrojtën me bindje idenë se ëndrrat nuk duhen braktisur përballë vështirësive. Ata argumentuan se suksesi kërkon këmbëngulje, sakrifica, punë dhe besim te aftësitë personale. Sipas tyre, pengesat nuk duhet të kthehen në arsye për t’u dorëzuar, por në motivim për të ecur përpara.
Në qendër të debatit u vendos edhe largimi nga Shqipëria.
A po ikin të rinjtë sepse nuk kanë mundësi, apo sepse kanë humbur besimin se mund të vlerësohen për atë që vlejnë?
Për shumë prej tyre, emigrimi u diskutua jo thjesht si kërkim i një page më të mirë, por si kërkim i një sistemi ku përpjekja dhe aftësia të kenë peshë reale.
Urban Gen, një projekt i Fondacionit Dritan Hoxha, me mbështetjen e Agjencisë Kombëtare të Rinisë, vazhdon t’u japë zë të rinjve, duke sjellë në ekran debatet, sfidat dhe kontradiktat e një brezi që kërkon të ardhmen e tij.
Top Channel