Midtjylland përballet me Egnatian, Tullberg: Kemi respektin më të madh, por do përqendrohemi te loja jonë
Gazi lotsjellës mbërrin deri në ambientet e stadiumit, skuadra daneze e ka të pamundur të vijojë përgatitjet.
Burime konfidenciale për gazetarin e Top Channel, Endi Tufa, zbulojnë se policia e shtetit ka refuzuar të marrë përsipër zhvillimin e ndeshjes në kushtet aktuale. Pritet vendimi zyrtar për fatin e takimit historik të Egnatias në Conference League.
Situatë e paprecedentë në Arenën Kombëtare, vetëm pak orë përpara një prej sfidave më të rëndësishme në historinë e Egnatias. Skuadra daneze e Midtjylland, që nesër në mbrëmje duhet të përballet me kampionët shqiptarë në debutimin e tyre në fazën e ligës së Conference League, është detyruar të ndërpresë stërvitjen pas vetëm 20 minutash.
Shkak është bërë gazi lotsjellës, i cili ka mbërritur deri në ambientet e stadiumit, duke e bërë të pamundur vijimin normal të seancës stërvitore. Sipas burimeve konfidenciale të Top Channel, situata është e tillë që ekipi danez nuk ka mundur të vazhdojë përgatitjet për ndeshjen e nesërme.
Por zhvillimet nuk ndalen këtu. Top Channel mëson ekskluzivisht, përmes burimeve konfidenciale për gazetarin Endi Tufa, se edhe Policia e Shtetit ka refuzuar të marrë përsipër garantimin e zhvillimit të ndeshjes në kushtet aktuale. Një zhvillim që e vë seriozisht në pikëpyetje organizimin e takimit mes Egnatias dhe Midtjylland.
Nëse situata nuk ndryshon, gjithçka mund të shkojë drejt shtyrjes së sfidës, në një kohë kur bëhet fjalë për një ndeshje historike për klubin rrogozhinas, i cili për herë të parë merr pjesë në fazën e ligës së këtij kompeticioni europian.
Transferimi i ndeshjes në një qytet tjetër do të ishte një zgjidhje tejet e vështirë për t’u realizuar në këtë fazë, veçanërisht kur UEFA ndodhet prej rreth katër ditësh në Tiranë për përgatitjet dhe organizimin e takimit.
Një mbrëmje që duhej të ishte festa e futbollit europian në Shqipëri rrezikon të kthehet në një situatë të jashtëzakonshme, me fatin e ndeshjes tashmë të varur nga zhvillimet e orëve të ardhshme.
Pritet që shumë shpejt të merret një vendim zyrtar për fatin e ndeshjes Egnatia–Midtjylland. Deri atëherë, gjithçka mbetet në pritje, ndërsa ndërprerja e stërvitjes dhe situata e sigurisë ngrenë pikëpyetje serioze për zhvillimin e takimit.
Top Channel