VIDEO/ E dhunuan policët dhe i thyen këmbën, flet 19-vjeçari nga Trauma: S’kisha lidhje fare me protestën Mbi tetë orë protestë përpara Ministrisë së Arsimit u shoqëruan tensione dhe përplasje mes protestuesve dhe forcave të policisë.
Protestues të dhunshëm hodhën gurë dhe sende të forta ndaj institucioneve dhe punonjësve të policisë, ndërsa policia u përgjigj me gaz lotsjellës, ujë me presion dhe shkopinj gome. Disa qytetarë të plagosur u dërguan në Spitalin e Traumës, ndërsa 40 persona u arrestuan. Gjatë protestës pati të lënduar si mes protestuesve, ashtu edhe mes efektivëve të policisë. Disa policë morën ndihmë mjekësore në spital, ndërsa të shtruar kanë mbetur vetëm protestues.
Pas ngjarjeve gjatë protestës, ku ndaj protestuesve u ushtrua dhunë nga forcat e policisë, pesë efektivë u pezulluan nga detyra.
Tensionet nisën që në pjesën e parë të tubimit, kur protestuesit hodhën vezë dhe përdorën sprej ndaj godinës së Ministrisë së Arsimit. Më pas situata u përshkallëzua, ndërsa u shkulën kangjella dhe u përdorën gurë, tulla dhe sende të tjera të forta.
Pas 60 minutash policia ndërhyri me gaz lotsjellës, disa autobote me ujë dhe shkopinj gome. Gjatë ndërhyrjes pati edhe përplasje fizike mes efektivëve të policisë dhe protestuesve. Për më shumë se tetë orë, protesta u zhvendos në disa pika të kryeqytetit, mes gurëve, flakëve, gazit lotsjellës dhe ujit me presion.
Përplasjet mes protestuesve dhe policisë të cilat nisën pranë Ministrisë së Arsimit, vijuan për disa orë në Rrugën e Durrësit, ndërsa në mbrëmje një pjesë e protestuesve hynë në katin e parë të Bashkisë së Tiranës. Gjatë protestës u lënduan edhe gazetare që po raportonin nga vendngjarja. Në përfundim, bilanci ishte 40 persona të arrestuar, disa qytetarë të plagosur të dërguar te Trauma dhe pesë efektivë të pezulluar.
Top Channel