Michael Olise është padyshim futbollisti që mund të ndryshojë merkaton e transferimeve në vitet e ardhshme. Futbollisti i Bayernit të Mynihut është në orbitën e klubeve të mëdhenj të Evropës mes tyre edhe të Realit të Madridit.

Bavarezët e dinë shumë mirë këtë dhe po bëjnë lëvizjet e tyre për rinovimin e kontratës me të që është kthyer në një çështje shtetërore në Mynih. Mediat gjermane këto ditë dhanë detaje për planin e klubit për ta bindur francezin që të qëndrojë, ashtu siç dëshiron të bëjë edhe me Harry Kane që është një prioritet absolut. Kontrata e Olise me kampionët e Gjermanisë skadon në vitin 2029. Ai u transferua te Bayerni nga Crystal Palace për vetëm 53 milionë euro, ndërkohë që vlera e tij aktualisht sipas ‘Transfermarkt’ është 180 milionë euro.

Duke parë rendimentin dhe interesin e shfaqur nga klubet e tjerë, Bayerni kërkon të bëjë gjithçka për ta blinduar, madje është gati ta shndërrojë atë në futbollistin më të paguar të skuadrës dhe t’i rrisë ndjeshëm pagën nga 14 milionë në mbi 25 milionë euro.

Por ka një pikë që Bayerni duhet të pranojë, por që nuk i pëlqen aspak; Michael Olise kërkon që në kontratën e re të përfshijë një klauzolë që do ta lejojë atë të largohet nga klubi. Kjo do të ishte një mënyrë për të mbajtur të hapur një rrugëdalje, edhe nëse vendos të qëndrojë. Këmbëngulja që gjërat të shkojnë pikërisht kështu tregon se qëndrimi në Mynih është një mundësi shumë konkrete, por pa hequr dorë nga një alternativë rezervë, në rast se në një moment të caktuar vendos të largohet.

Në Gjermani nuk ka klauzola për zgjidhjen e kontratave, përveç rasteve kur ato specifikohen në to, dhe kjo është saktësisht ajo që dëshirojnë Olise dhe agjenti i tij. Kohët e fundit janë bërë rinovime kontratash me klauzolë në disa ekipe të Bundesligës siç është rasti i Gvardiol dhe Dani Olmos me Leipzig. Ndërsa në raste të tjera si ai i Haaland, u firmos direkt kontrata e parë duke përfshirë një shifër për të lejuar largimin nga skuadra.

Bayerni ishte më ngurrues, por me Kane e Musiala në fillim dhe tani me Olise, është i detyruar të bëjë diçka të tillë. Pjesa e vështirë është përcaktimi i një çmimi për të me Bayernin që dëshiron që të jetë 200 milionë euro, kurse Olise dëshiron një çmim shumë më të ulët, gjë që tregon se francezi e mendon një të ardhme larg kampionëve të Gjermanisë.

 

Top Channel