Pas fundjavës në kampionat, Interi fokusohet totalisht te Liga e Kampioneve ku këtë mesjavë do të presë Club Brugge me zikaltrit që do të kenë përballë një njohje të vjetër të tyre si Yan Sommer që kthehet në San Siro si kundërshtar.

Interi do të kërkojë që të marrë fitoren e parë në këtë edicion të ri të kompeticionit teksa në sfidën e parë në Bernabeu ndaj Realit të Madridit humbi 2-1, me skuadrën e Chivut që gjatë kësaj kohe është rritur ndjeshëm dhe ndeshja me Parmën tregoi se trajneri rumun mund të bëjë rotacion në skuadër për t’iu dhënë mundësinë të pushojnë lojtarëve që luajnë më shumë se të tjerët.

Për sfidën e mbrëmjes të së martës, Chivu di t’iu besojë titullarëve duke nisur nga kapiteni Lautaro Martinez që ndeshjen ndaj Parmës e nisi nga pankina pas kthimit nga ndeshja e lamtumirës së Lionel Messit nga kombëtarja argjentinase. Lautaro do të formojë sërish dyshen sulmuese me Marcus Thuram dhe objektivi i argjentinasit është t’i japë fund thatësirës së golit në kompeticionet evropiane, një thatësirë që zgjat prej 6 ndeshjesh. Goli i fundit i Lautaro Martinez në Ligën e Kampioneve është ai i shënuar ndaj Kairat në ndeshjen e zhvilluar në 5 nëntor 2025.

Në mesfushë rishfaqen Barella dhe Zielinski me Sucic dhe Mkhitaryan që ulen sërish në stol, ndësa Calhanoglu që do të organizojë lojën. Në sfidën me Parmën turku u zëvendësua në minutën e 62 dhe në pankinë u pa të mbante një qese akulli në gju, por mesfushori është mirë dhe do të jetë rregullisht në fushë.

Në mbrojtje rikthehen Akanji dhe Bastoni, ndërsa Bisseck pritet të konfirmohet në qendër, si në ndeshjen e së shtunës ndaj verdhebluve, ose të luajë si qendërmbrojtës i djathtë, me zviceranin në qendër. E vetmja dilemë për krahun e djathtë është ajo mes Diouf, titullar në ndeshjen e kampionatit dhe Luis Henrique. Për Spence, që bëri debutimin e tij me fanellën zikaltër në sfidën me Parmën, është ende herët për të folur për një vend titullari. Dimarco do të jetë në krahun e majtë ndërsa në portë është Josep Martinez.

Top Channel