Nga dritat e “San Siros” te kategoria e dytë në Francë, çfarë ndodhi me ish-talentin e sulmit të Milanit

09/10/2026 19:09

Dikur konsiderohej një nga talentet më premtuese të futbollit francez, ndërsa Milani e afroi me synimin për ta kthyer në pasardhësin e Zlatan Ibrahimovic.

Megjithatë, karriera e M’Baye Niang nuk arriti të përmbushte pritshmëritë e mëdha, ndërsa sot, në moshën 31-vjeçare, sulmuesi ka nisur një aventurë të re në Ligue 2, me skuadrën e Dunkerque, ku do të jetë sërish shok skuadre me ish-kampionin e botës, Steven Nzonzi.

Në një intervistë për gazetën franceze “L’Équipe”, Niang ka folur për rrugëtimin e tij në futboll, duke theksuar se nuk ka asnjë pendesë për vendimet e marra gjatë karrierës.

“Nuk kam asnjë keqardhje. Kam pasur karrierën time dhe gjithçka që kam arritur më ka lejuar të rritem si lojtar dhe si person”, u shpreh sulmuesi.

Niang u transferua te Milani në moshë të re, në një periudhë kur klubi italian shpresonte ta zhvillonte si një nga sulmuesit kryesorë të së ardhmes. Me fanellën kuqezi, ai realizoi 12 gola në 79 paraqitje, por nuk arriti të konsolidohej në nivelin që pritej prej tij.

Në Itali, përveç Milanit, ai luajti edhe për Genoan, Torinon, Empolin dhe Sampdorian. Karriera e tij vijoi në disa kampionate të tjera, përfshirë Premier League me Watfordin, futbollin turk me Adana Demirspor dhe Gençlerbirliği, si dhe aventura në Arabinë Saudite dhe Marok.

Në Francë, Niang ka luajtur gjithashtu për Rennes, Bordeaux dhe Auxerre. Një nga sukseset më të rëndësishme të karrierës së tij mbetet fitimi i Kupës së Francës me Rennes.

Vendimin për t’u bashkuar me Dunkerque, Niang e sheh si një mundësi për të rifituar kënaqësinë e lojës dhe për të ndarë përvojën e tij me futbollistët e rinj.

“Fillova të luaja në një moshë shumë të re dhe po kërkoja një projekt që do të më lejonte të argëtohesha dhe t’ua kaloja përvojën time lojtarëve më të rinj. Është një sfidë stimuluese”, deklaroi ai.

Sulmuesi pritet të debutojë zyrtarisht në kampionat me skuadrën e re, pasi ka luajtur disa minuta në një ndeshje miqësore. Dunkerque aktualisht renditet në vendin e 12-të në tabelën e Ligue 2.

Në këtë etapë të karrierës, Niang synon të kontribuojë me përvojën e tij dhe të ndihmojë skuadrën të arrijë objektivat sezonale, duke nisur një kapitull të ri larg vëmendjes së madhe që e shoqëroi në vitet e para të karrierës së tij.

Top Channel