Deputeti i PAA-së, Artan Luku hedh poshtë aludimet për një votë pro reformës territoriale.

Në një reagim për Top Channel, ai konfirmon se do të votojë kundër, duke iu bashkuar qëndrimit të opozitës.

Luku e cilëson nismën një “kapriço politike”, që sipas tij nuk ka asgjë të përbashkët me një reformë të vërtetë. Ai kundërshton mënyrën se si po trajtohet procesi, duke e konsideruar atë një vendimmarrje të pakonsultuar me komunitetet dhe pa një vizion të qartë.

“Votoj kundër kësaj KAPRIÇOJE POLITIKE, e cila nuk ka asgjë të përbashkët me një reformë të vërtetë.

Kjo nuk është reformë. Është një vendim politik i pa konsultuar dhe pa vizion. Një vendim i marrë në zyrat e politikës dhe më pas t’u imponohet komuniteteve.

Prandaj, si përfaqësues i qytetarëve në Kuvend dhe i Partisë Agrare Ambientaliste, VOTOJ KUNDËR.

Kjo është vota ime dhe përgjegjësia ime politike”, shprehet Artan Luku.

Me këtë qëndrim, Luku përjashton mundësinë e një vote pro reformës territoriale dhe konfirmon se do të jetë pjesë e votës opozitare kundër saj.

Top Channel