Del sot nga burgu “numri 2” i Agimit të Artë Ilias Kasidhiaris, synon rikthimin në politikë

15/09/2026 10:29

Ilias Kasidhiaris, një nga figurat më të fuqishme të Agimit të Artë dhe për vite me radhë i konsideruar si krahu i djathtë i liderit Nikos Michaloliakos, del sot në mesditë nga burgu i Domokosit, pas përfundimit të dënimit të tij për drejtimin e një organizate kriminale.

Kasidhiaris ishte dënuar me 13 vjet burg, pasi Gjykata e Apelit në Athinë konfirmoi vendimin historik se Agimi i Artë funksiononte si “organizatë kriminale nën petkun e një partie politike”. Bashkë me të, për drejtimin e organizatës u dënuan edhe Nikos Michaloliakos, Giannis Lagos, Christos Pappas, Giorgos Germenis, Ilias Panagiotaros dhe Artemis Matthaiopoulos.

Kasidhiaris lirohet sot pasi, sipas avokates së tij, ka plotësuar të gjithë dënimin sipas mënyrës së llogaritjes së parashikuar nga kodi penitenciar. Rreth shtatë vjet janë vuajtur realisht, përfshirë paraburgimin, ndërsa rreth gjashtë vite të tjera janë llogaritur përmes ditëve të punës në burg, ku në raste të caktuara një ditë pune llogaritet si më shumë se një ditë dënimi.

Agimi i Artë hyri për herë të parë fuqishëm në parlamentin grek në vitin 2012, në kulmin e krizës ekonomike dhe politike. Në zgjedhjet e qershorit mori 6,92% të votave dhe 18 deputetë. Në vitin 2015 ruajti pothuajse të njëjtën forcë, me rreth 7% dhe 18-19 deputetë, ndërsa në zgjedhjet e vitit 2019 ra nën pragun e kërkuar prej 3% dhe mbeti jashtë Parlamentit.

Hetimi penal kundër Agimit të Artë mori përmasa vendimtare pas vrasjes së muzikantit antifashist Pavlos Fyssas në shtator 2013 nga Giorgos Roupakias, anëtar i organizatës. Procesi gjyqësor zgjati për vite dhe në vitin 2020 gjykata shpalli fajtorë të gjithë 18 ish-deputetët e grupit parlamentar të Agimit të Artë: shtatë për drejtim të organizatës kriminale dhe 11 të tjerë për anëtarësim në të. Në shkallën e dytë, në mars 2026, u shpallën fajtorë të gjithë 42 të pandehurit që kishin vazhduar procesin e apelit.

Burgimi nuk e ndërpreu aktivitetin publik të Kasidhiaris. Nga qelia e tij në Domokos ai vazhdoi të komunikonte përmes rrjeteve sociale, videove dhe transmetimeve në internet dhe tentoi të mbante një prani politike.

Në zgjedhjet e vitit 2023 ai tentoi të marrë pjesë me partinë “Ellines” (Grekët), por Gjykata e Lartë bllokoi pjesëmarrjen, duke e konsideruar atë udhëheqësin real të formacionit. Më pas ai mbështeti partinë “Spartiates”. Në qershor të vitit 2025, Gjykata e Posaçme Zgjedhore u hoqi mandatet tre deputetëve të kësaj partie, duke vlerësuar se elektorati ishte mashtruar dhe se drejtuesi i fshehtë dhe udhëzuesi real i partisë ishte Ilias Kasidhiaris.

Edhe nga burgu ai u zgjodh këshilltar bashkiak në Athinë në vitin 2023, ndërsa vazhdoi të mbante lidhje me mbështetësit e tij dhe të paralajmëronte rikthimin në skenën politike.

Çështja kryesore tashmë është fakti nëse ai mund të kandidojë sërish. Vetë Kasidhiaris ka deklaruar se del nga burgu me “të drejta të plota politike” dhe ka paralajmëruar konferencë shtypi për të prezantuar planet e tij të ardhshme. Avokatja e tij ka thënë se pjesëmarrja e tij në zgjedhjet e ardhshme është e sigurt.

Por ligjërisht çështja nuk është e mbyllur. Ligji i miratuar në vitin 2023 ndalon pjesëmarrjen në zgjedhje të formacioneve ku drejtuesi real është person i dënuar për drejtim ose pjesëmarrje në organizatë kriminale. Juristët nuk bien plotësisht dakord nëse ndalimi për Kasidhiaris përfundon me lirimin nga burgu apo vazhdon për gjithë kohëzgjatjen formale të dënimit.

Në çdo rast, fjalën e fundit do ta kenë sërish gjyqtarët e seksionit politik të Gjykatës së Lartë, të cilët do të vendosin nëse ai mund të jetë kryetar partie, kandidat për deputet apo drejtues real i një formacioni tjetër. Dhe pikërisht këtu përqendrohet edhe debati që ka hapur shtypi grek. Gazeta “Efimerida ton Syntakton” shkruan se Kasidhiaris po përgatit prej muajsh kthimin e tij politik dhe se tashmë synon “normalizimin institucional” të pranisë së tij, këtë herë jo përmes brigadave të sulmit në rrugë, por kryesisht përmes rrjeteve sociale dhe ndikimit te një pjesë e elektoratit, veçanërisht tek të rinjtë.

Dalja e tij nga burgu, vetëm pak ditë përpara përvjetorit të vrasjes së Pavlos Fyssas, rikthen kështu në qendër të politikës greke një pyetje që dukej se ishte mbyllur me dënimin e Agimit të Artë: a mund të kthehet politikisht një nga drejtuesit e tij kryesorë pasi ka përfunduar dënimin penal?

Mos harrojmë edhe faktin që rikthimi i Kasidhiaris ndodh vetëm pak muaj para zgjedhjeve parlamentare, në një moment kur skena politike greke është më e fragmentuar se kurrë. Demokracia e Re mbetet forca e parë, por përballet me pakënaqësi të fortë, ndërsa në të djathtë të saj konkurrojnë disa formacione konservatore dhe të ekstremit të djathtë.

Në anën tjetër, partitë progresiste dhe të qendrës së majtë vazhdojnë të jenë të ndara dhe pa një alternativë të vetme të qartë qeverisëse, duke përjashtuar edhe çdo mundësi bashkëpunimi. Në këtë terren synon të rikthehet Kasidhiaris, duke u përpjekur të paraqitet jo më me simbolikën e hapur neonaziste të Agimit të Artë, por me një gjuhë “patriotike”, antisistem dhe kundër elitave politike.

Pikërisht këtu lind edhe paralajmërimi që bëjnë disa media greke se “historia mund të përsëritet – si farsë ose si tragjedi”. Edhe në vitin 2012, Agimi i Artë përfitoi nga zemërimi social, kriza ekonomike dhe mosbesimi ndaj partive tradicionale për të hyrë në parlament.

Sot Greqia nuk ndodhet në të njëjtën situatë. Por disa nga kushtet politike që ushqyen atëherë ekstremizmin, si pakënaqësia, shtrenjtësia e artikujve ushqimorë, karburanteve, qirave apo dhe skandalet politike çojnë në kërkimin e një vote ndëshkuese, janë përsëri të pranishme. Pyetja shtrohet nëse rikthimi i Kasidhiaris do të mbetet një episod politik periferik, apo nëse do të kthehet sërish në faktor që do të ndikojë ekuilibrat në të djathtë të skenës politike greke.

 

Top Channel