Kina shtrëngon rregullat e udhëtimit, qytetarët mund të ndalohen të largohen nga vendi
Pentagoni ka pranuar se lufta me Iranin ka shkaktuar mungesa në rezervat amerikane të municioneve, duke konfirmuar shqetësimet e ngritura gjatë muajve të fundit për kapacitetet e arsenaleve të Shteteve të Bashkuara.
Raporti i Inspektorit të Përgjithshëm të Departamentit amerikan të Mbrojtjes, i paraqitur në Kongres, bie në kontrast me deklaratat e mëparshme të administratës Trump, e cila në masë të madhe kishte hedhur poshtë raportimet për vështirësitë me rezervat e municioneve.
Raporti vjen gjithashtu në një kohë kur presidenti Donald Trump ka deklaruar në platformën Truth Social se SHBA-ja po prodhon “më shumë armë të nivelit të lartë dhe elitar se në çdo periudhë tjetër të historisë së saj”.
Sipas raportit të parë të këtij lloji, të hartuar në mënyrë të detyrueshme për Kongresin, operacioni ushtarak amerikan “Epic Fury” ka kushtuar rreth 33.4 miliardë dollarë gjatë periudhës nga 28 shkurti deri më 30 qershor.
Nga kjo shumë, rreth 22.3 miliardë dollarë janë shpenzuar vetëm për municionet e përdorura gjatë operacionit.
Raporti i Inspektorit të Përgjithshëm evidenton kështu ndikimin që konflikti ka pasur mbi rezervat ushtarake amerikane dhe nevojën për rimbushjen e tyre. Ndërkohë, pasojat e konfliktit po ndihen edhe në tregjet ndërkombëtare të energjisë.
Çmimi i naftës ka vijuar të rritet dhe ka kaluar nivelin e 103 dollarëve për fuçi, duke shtuar shqetësimet për ndikimin e luftës mbi furnizimet globale dhe ekonominë.
Rritja e çmimeve të energjisë vjen në një periudhë kur tregjet po përballen me pasiguri të lartë për shkak të zhvillimeve ushtarake dhe rrezikut për ndërprerje të furnizimeve me naftë.
Raporti i Pentagonit rikthen në qendër të vëmendjes edhe kapacitetin e SHBA-së për të përballuar konflikte të zgjatura, veçanërisht sa i përket rezervave dhe prodhimit të municioneve.
Top Channel