Debati për pagat e magjistratëve, ministri Gogu: Zgjidhja është në Kuvendin e Shqipërisë dhe jo përplasja mes institucioneve
Situata në Himarë është qetësuar pas zjarrit që shpërtheu mbrëmjen e djeshme, rreth orës 20:00, në kodrat përreth qytetit.
Siç raporton korrespondenti i Top Channel Mikel Marsi, e favorizuar nga erërat e forta dhe temperaturat e larta, flakët u përhapën me shpejtësi, duke rrezikuar banesa, hotele dhe sipërfaqe të konsiderueshme me ullinj.
Për shkak të terrenit të vështirë dhe përmasave të zjarrit, zjarrfikësit e Himarës kërkuan ndihmën e forcave nga bashki të tjera të vendit. Në terren u angazhuan rreth 300 forca si zjarrfikëse, ashtu dhe Forcat e Armatosura.
Sipas banorëve të zonës, dëmet janë të konsiderueshme. Mbi 6 mijë rrënjë ullinj shekullorë janë përfshirë nga flakët, ndërsa janë dëmtuar edhe gjashtë banesa, tre prej të cilave ishin të braktisura.
Banorët e Himarës e kanë cilësuar situatën si një prej zjarreve më të mëdha të parë në këtë zonë gjatë dekadave të fundit.
Nënkryetari i Bashkisë Himarë, Pervin Gjikuria, i cili ka ndjekur nga afër operacionin për izolimin e flakëve, flet për momentet e vështira qe kaloje Bashkia e Himarës mbrëmjen e djeshme.
Falë ndërhyrjes së forcave zjarrfikëse dhe Forcave të Armatosura, zjarri është izoluar dhe situata është qetësuar, por strukturat vijojnë të qëndrojnë në gatishmëri.
Rreziku mbetet ende i pranishëm, pasi vatrat e nxehta, trungjet e ullinjve të djegur dhe humusi mund të favorizojnë riaktivizimin e flakëve.
Autoritetet u bëjnë thirrje banorëve të tregohen të kujdesshëm, ndërsa forcat në terren vijojnë monitorimin e zonës për të shmangur çdo rindezje të mundshme.
Top Channel