Debati për pagat e magjistratëve, ministri Gogu: Zgjidhja është në Kuvendin e Shqipërisë dhe jo përplasja mes institucioneve

05/09/2026 11:22

Paga e magjistratëve, pra të gjyqtarëve dhe prokurorëve, por edhe administratës gjyqësore, ku përfshihen sanitarët, sekretarët gjyqësorë, ftuesit dhe shoferët, do të vijojë të jetë e bllokuar derisa Kuvendi të gjejë formulën se si do ta përllogarisë.

Ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, e bëri të qartë në konferencën për shtyp se vendosja e pagave të gjyqtarëve dhe prokurorëve nuk mund të shpallej nga KLGJ dhe KLP, por nga ligjvënësi.

“Zgjidhja nuk është që institucionet të përplasen me njëra-tjetrën. Zgjidhja është në Kuvendin e Shqipërisë. Detyra ime është që kjo të bëhet shpejt dhe sa më mirë, në zbatim të vendimit të Gjykatës Kushtetuese dhe me përgjegjshmëri të plotë ndaj buxhetit të shtetit”, u shpreh Gogu.

Por kur Kushtetuesja kishte caktuar për Parlamentin 31 korrikun afat brenda të cilit Parlamenti duhet të kishte gjetur skemën e re për pagat e magjistratëve, rezulton se qeveria e dorëzoi në minutën e fundit projektligjin, në të cilin këmbëngulet koeficienti i pagës referuese nga 0.36 në 0.38 të pagës së Presidentit.

“Duhet ta themi troç. Kemi arritur këtu sepse na mungon baza ligjore për formulën e pagës së magjistratëve, të cilën Gjykata Kushtetuese e shfuqizoi. Ky boshllëk duhet të plotësohet atje ku e ka vendin: në Kuvend, me ligj”, shtoi Gogu.

Kur saga e shkresave ka përfshirë Ministrinë e Financave, Gjykatën e Lartë, KLDH dhe shoqatat e njerëzve të drejtësisë, që e shpallin të paprecedentë situatën, ministri i Drejtësisë tha se me nisjen e sesionit parlamentar këtë të martë do të gjendet formula e re për boshllëkun ligjor, tek i cili do të bazohet thesari.

Megjithatë, çështja mbetet ende pa zgjidhje, megjithëse kanë folur të gjitha palët. Për TCH, Anila Hoxha.

Top Channel