“Mëkat ndaj natyrës”, teologët e Vatikanit kërkojnë ndryshim të jetesës: Kriza mjedisore godet më fort të varfrit

05/09/2026 11:46

Vatikani propozon që dëmtimi i natyrës të konsiderohet “mëkat kundër krijimit dhe Krijuesit”.

Në një dokument të ri, teologët theksojnë se ndotja, shkatërrimi i ekosistemeve dhe ndryshimet klimatike kanë pasoja të rënda, sidomos për më të varfrit, ndërsa kujdesi për planetin cilësohet edhe përgjegjësi shpirtërore.

Mbrojtja e mjedisit nuk është vetëm një çështje ekologjike, por edhe një përgjegjësi e besimit të krishterë. Komisioni Teologjik Ndërkombëtar i Vatikanit propozon futjen e konceptit të “mëkatit kundër krijimit dhe Krijuesit”. Në dokumentin e ri “Të kujdesemi për Shtëpinë tonë të përbashkët”, teologët e Vatikanit theksojnë se njeriu ka përgjegjësi të drejtpërdrejtë për përkeqësimin e mjedisit dhe se dëmtimi i natyrës nuk mund të ndahet nga përgjegjësia ndaj Zotit. Për këtë arsye, Komisioni preferon formulimin “mëkat kundër krijimit dhe Krijuesit”, në vend të termave si “mëkat ekologjik” apo “ekocid”.

Dokumenti paralajmëron se pasojat e krizës mjedisore janë konkrete dhe shpesh dramatike. Ndotja, shkatërrimi i ekosistemeve dhe ndryshimet klimatike godasin në mënyrë të veçantë shtresat më të varfra dhe, sipas Vatikanit, shkaktojnë edhe humbje të shumta jetësh.

Mesazhi është edhe një thirrje për ndryshimin e mënyrës së jetesës dhe konsumit: kujdesi për planetin konsiderohet jo vetëm detyrim moral, por edhe përgjegjësi shpirtërore.

Top Channel