Goditje për Gjermaninë! Mercedes ndal investimet dhe shqyrton mbylljen e fabrikave, mijëra vende pune në rrezik

12/11/2026 22:32

Kriza në industrinë gjermane të automobilave po thellohet. Pas problemeve të Volkswagen, tashmë edhe gjiganti Mercedes-Benz ka marrë një vendim drastik lidhur me pezullimin e të gjitha investimeve në fabrikat e tij në Gjermani, ndërsa po shqyrton edhe mundësinë e mbylljes së disa prej tyre.

Sipas Reuters, shkaku kryesor i këtij vendimi janë kostot e larta të prodhimit në Gjermani dhe mungesa e një marrëveshjeje mes drejtuesve të kompanisë, këshillit të punës dhe përfaqësuesve të sindikatës për uljen e kostove të punës.

Drejtuesi i prodhimit në Mercedes-Benz, Michael Schiebe, konfirmoi se kompania ka vendosur të ndalojë të gjitha investimet e mëtejshme në lokacionet e saj gjermane. Situata duket se po bëhet edhe më serioze për punonjësit, pasi drejtuesit e kompanisë kanë pranuar se mbyllja e fabrikave tashmë duhet të shqyrtohet konkretisht.

“Ne të gjithë duam të shmangim mbylljen e fabrikave me çdo kusht. Fatkeqësisht, megjithatë, tani duhet ta shqyrtojmë këtë mundësi më në detaje”, deklaroi Britta Seeger, anëtare e bordit drejtues të Mercedes-Benz.

Që prej disa muajsh, kompania po u kërkon punonjësve të gjejnë mënyra për të ulur kostot. Në shtator, drejtuesi i prodhimit Michael Schiebe kishte paralajmëruar se dy fabrika në Gjermani mund të mbyllen nëse nuk arrihet përparim në negociatat për uljen e shpenzimeve.

Negociatat vijojnë me sindikatën IG Metall, një nga organizatat më të mëdha sindikale në Gjermani. Problemet nuk kufizohen vetëm te Mercedes-Benz. Gjiganti tjetër Volkswagen po përgatitet gjithashtu për negociata të vështira me sindikatat, të cilat pritet të nisin më 24 nëntor.

Plani i ristrukturimit të Volkswagen mund të çojë në humbjen e deri në 100 mijë vendeve të punës dhe mbylljen e deri në katër fabrikave në Gjermani, ndërsa tensionet me punonjësit mbeten të larta.

Edhe kompania Schaeffler ka njoftuar shkurtime të 3,460 vendeve të punës dhe mbylljen e pesë njësive në Evropë, katër prej të cilave ndodhen në Gjermani. Sipas kompanisë, vendimi lidhet me kërkesën e dobët për automjete me motorë me djegie të brendshme. Ndërkohë, konsulenca Roland Berger paralajmëron se deri në vitin 2030 mund të humbasin të paktën 200 mijë vende pune në industrinë gjermane të automobilave.

Një nga faktorët kryesorë është humbja e Kinës si një prej burimeve të rëndësishme të fitimit për prodhuesit gjermanë, për shkak të konkurrencës së fortë nga kompanitë kineze, të cilat po fitojnë gjithnjë e më shumë terren edhe në tregun evropian.

Top Channel