Tragjedi në Turqi, rrëzohet helikopteri ushtarak në Malatja, humbin jetën 4 ushtarë
Presidenti amerikan Donald Trump ka kërcënuar me masa të reja ekonomike ndaj Meksikës, duke paralajmëruar dyfishimin e tarifave tregtare nëse autoritetet meksikane nuk ndalojnë një karvan me më shumë se 1,000 emigrantë që po lëviz drejt kufirit me Shtetet e Bashkuara.
Kërcënimi u bë publik këtë të enjte përmes një postimi në rrjetet sociale, ku Trump përdori tone të ashpra ndaj qeverisë meksikane dhe kërkoi ndërhyrje të menjëhershme për të ndaluar emigrantët, raporton Reuters.
“Meksika duhet t’i ndalojë ata, tani, dhe nëse nuk e bëjnë këtë, tarifat ndaj Meksikës do të dyfishohen menjëherë. Nuk do të ketë asnjë lehtësim!”, shkroi presidenti amerikan.
Karvani, i përbërë kryesisht nga emigrantë nga Amerika Qendrore, u nis të martën nga qyteti Tapachula, në jug të Meksikës, pranë kufirit me Guatemalën. Rreth 1,500 persona kanë marrë rrugën drejt veriut me shpresën për të hyrë në Shtetet e Bashkuara dhe për të ndërtuar një jetë më të mirë.
Një pjesë e emigrantëve shpresojnë se ndryshimet e fundit politike në SHBA dhe fitorja e demokratëve në zgjedhjet e mesmandatit mund të krijojnë mundësi të reja për të jetuar dhe punuar në vend.
Presidentja e Meksikës, Claudia Sheinbaum, konfirmoi se autoritetet janë në dijeni të karvanit që po lëviz drejt veriut, por theksoi se situata po menaxhohet dhe se nuk do të ketë masa represive.
Sipas saj, emigrantët janë informuar për vështirësitë që i presin në përpjekjen për të hyrë në SHBA, ndërsa qeveria meksikane po punon për të lehtësuar kthimin e tyre në vendet e origjinës.
Sheinbaum theksoi gjithashtu se që nga rikthimi i Trump në Shtëpinë e Bardhë vitin e kaluar, asnjë karvan emigrantësh nuk ka arritur në kufirin amerikan.
Ndërkohë, disa media lokale raportojnë se autoritetet në shtetin Chiapas kanë penguar emigrantë të tjerë që të bashkohen me grupin.
Pas deklaratës së Trump, edhe Sekretari amerikan i Sigurisë Kombëtare, Markwayne Mullin, reagoi duke paralajmëruar se administrata do të përdorë të gjitha burimet në dispozicion për të garantuar sigurinë kufitare.
“Ne do të përdorim të gjitha asetet për t’u siguruar që kufijtë tanë janë të sigurt. Ky karvan i paligjshëm i emigrantëve nuk do të lejohet të hyjë në vendin tonë”, deklaroi Mullin.
Kërcënimi i Trump vjen në një moment delikat për marrëdhëniet mes dy vendeve, pasi Uashingtoni dhe Meksiko po negociojnë një marrëveshje të re tregtare, pas vendimit të presidentit amerikan për të mos zgjatur paktin tregtar SHBA-Meksikë-Kanada.
Politikat e ashpra të administratës Trump për emigracionin kanë ndikuar ndjeshëm në uljen e fluksit të emigrantëve drejt kufirit jugor amerikan, duke bërë që edhe shumë qendra pritjeje në Meksikë të mbeten bosh.
Top Channel