E rrëmbeu, e lidhi dhe e hodhi nga ura e autostradës/ Zbulohen detajet tronditëse të vrasjes së 45-vjeçares italiane nga ish-partneri
Dy ditë përpara zgjedhjeve në Saksoni-Anhalt, një fitore e mundshme e AfD-së po ngre shqetësime që shkojnë përtej politikës. Në Berlin ka frikë se ardhja për herë të parë e së djathtës ekstreme në drejtimin e një landi mund t’i japë partisë ndikim mbi shërbimet sekrete, informacione të klasifikuara dhe çështje të mbrojtjes.
AfD mund të jetë vetëm pak ditë larg një precedenti historik në Gjermaninë e pasluftës. Partia e ekstremit të djathtë kryeson bindshëm sondazhet në Saksoni-Anhalt dhe synon që për herë të parë të drejtojë qeverinë e një landi gjerman. Por perspektiva ka ndezur alarmin në institucionet e sigurisë.
AfD ka premtuar të ristrukturojë degën lokale të shërbimit të inteligjencës së brendshme, BfV, institucioni që vetë e ka klasifikuar organizatën e partisë në Saksoni-Anhalt si ekstremiste të djathtë. Në rast se merr pushtetin, partia mund të ndikojë në drejtimin e këtij shërbimi, të ndryshojë drejtuesit e tij dhe të zhvendosë fokusin nga ekstremizmi i djathtë drejt radikalizmit të majtë.
Shqetësimi më i madh lidhet megjithatë me informacionet sekrete. Politikanë gjermanë paralajmërojnë se zyrtarë të AfD-së mund të fitojnë akses në të dhëna sensitive mbi ekstremizmin, sulmet e mundshme apo kërcënimet hibride. Këto frikë ushqehen edhe nga qëndrimet e AfD-së për afrimin me Moskën dhe kundërshtimin e mbështetjes gjermane për Ukrainën.
Alarmi ka mbërritur edhe në Ministrinë e Mbrojtjes. Saksoni-Anhalt strehon baza dhe zona stërvitore të ushtrisë gjermane, ndërsa ministri Boris Pistorius ka kërkuar që ministra të mundshëm të AfD-së të mos kenë akses në informacione të klasifikuara.
Mediat gjermane raportojnë se Berlini po shqyrton edhe skenarë emergjence në rast se një qeveri rajonale do të përpiqej të pengonte, për shembull, lëvizjen e trupave të NATO-s. Ekspertët theksojnë megjithatë se kalimi i informacioneve sekrete te Rusia do të përbënte tradhti dhe e konsiderojnë një skenar të tillë të vështirë. Por një fitore e AfD-së të dielën mund ta çojë përplasjen mes Berlinit dhe së djathtës ekstreme nga arena politike, drejtpërdrejt në institucionet e sigurisë së Gjermanisë.
Top Channel