Bllokohen pagat në sistemin e drejtësisë/ Gjyqtarët dhe prokurorët: Situatë e paprecedentë, të ndërhyjë Ministria e Financave

02/09/2026 16:17

Pagat e muajit gusht për gjyqtarët, prokurorët dhe administratat e institucioneve të drejtësisë janë bllokuar në Thesarin e Shtetit.

Ky vendim vjen pas përcaktimit nga KLGJ dhe KLP të një page të re referuese për magjistratët, në mungesë të një formule të re të miratuar nga Kuvendi brenda afatit të caktuar nga Gjykata Kushtetuese.

Burimet e gazetares së Top Channel, Anila Hoxha, bëjnë me dije se Prokuroritë e Kukësit dhe Dibrës janë paguar sipas formulës së re, kjo pasi dyshohet se urdhri ka mbërritur me vonesë te ta.

Shkak për situatën është bërë vendimi i Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë për rritjen e pagës referuese të magjistratëve me rreth 65.600 lekë.

KLGJ vendosi që, duke nisur nga 1 gushti, paga e çdo gjyqtari të llogaritet mbi një pagë referuese prej 222.425 lekësh, nga 156.800 lekë që ishte më parë. Kësaj shume i shtohet edhe 14 mijë lekë për nivelin e kualifikimit.

Të njëjtën pagë referuese prej 222.425 lekësh, plus shtesën prej 14 mijë lekësh, përcaktoi edhe KLP për prokurorët.

Vendimet e dy institucioneve erdhën pas një vendimi të Gjykatës Kushtetuese në shkurt 2026, e cila rrëzoi formulën e mëparshme të përcaktimit të pagave të magjistratëve.

Kushtetuesja i la Kuvendit detyrimin që të miratonte një formulë të re brenda datës 31 korrik 2026. Afati skadoi pa u miratuar një formulë e re nga Parlamenti.

Pas bllokimit në Thesarin e Shtetit ka reaguar edhe Unioni i Gjyqtarëve, Shoqatës Kombëtare të Gjyqtarëve dhe Shoqatës së Prokurorëve. Ata e konsiderojnë situatën të paprecedentë dhe kërkojnë ndërhyrjen e Ministrisë së Financave.

“Sot në mënyrë të paprecedentë, ky proces është penguar në fazën e ekzekutimit financiar. Si pasojë e veprimeve dhe mosveprimeve të strukturave përgjegjëse të Drejtorisë së Thesarit, pagat e magjistratëve, ndonëse janë përllogaritur dhe urdhëruar për pagesë në zbatim të vendimmarrjeve përkatëse, nuk po ekzekutohen. Pasojat e kësaj situate nuk kufizohen vetëm te magjistratët, por shtrihen në mënyrë të drejtpërdrejtë në funksionimin financiar dhe administrativ të institucioneve të sistemit të drejtësisë.

Shoqatat e magjistratëve e konsiderojnë të papranueshme që një vendim i Gjykatës Kushtetuese, përfundimtar, i detyrueshëm dhe drejtpërdrejt i zbatueshëm, si dhe për zbatimin e të cilit institucionet përgjegjëse kanë ndërmarrë veprimet e nevojshme administrative, të mbetet pa efekt praktik dhe që magjistratët dhe funksionarët e tjerë të sistemit të drejtësisë të mbeten pa paga për shkak të pengesave të krijuara në hallkën e ekzekutimit financiar.

Çdo vonesë apo pengim në ekzekutimin e pagesave të miratuara dhe të urdhëruara sipas formulës së përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese nuk përbën thjesht një çështje teknike apo procedurale të administrimit buxhetor. Në këtë rast, bëhet fjalë për një situatë që prek drejtpërdrejt funksionimin normal të sistemit të drejtësisë, sigurinë financiare të magjistratëve dhe efektivitetin e një vendimi 1 të Gjykatës Kushtetuese. 

I bëjmë thirrje Ministrisë së Financave që të marrë masat e nevojshme për të garantuar ekzekutimin e menjëhershëm të pagave të magjistratëve dhe funksionarëve të sistemit të drejtësisë, si dhe që ky proces të mos shndërrohet në një burim të mëtejshëm dëmi financiar për sistemin e drejtësisë dhe institucionet publike. Në mënyrë të veçantë, i kërkojmë Ministrit të Financave që, në ushtrim të përgjegjësive të tij institucionale, të marrë masa të menjëhershme për të garantuar që strukturat administrative në varësi të tij të veprojnë në përputhje me efektet detyruese të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese dhe të mos pengojnë zbatimin e tyre për shkak të procedurave të administrimit apo ekzekutimit buxhetor”, thuhet në kërkesën e tyre.

 

Top Channel