Kamerieri u rrah nga djemtë dhe dhëndri i pronarit në lokalin ku punonte, gjykata lë në burg dy dhunuesit

31/08/2026 11:28

Gjykata e Durrësit ka caktuar masën e sigurisë “arrest në burg” me afat 45 ditor për dy personat që dhunuan kamerierin 18-vjeçar në Mal të Robit, Golem.

Njëri nga pronarët e hotelit Florian Habilaj dhe shoku i tij E. Dragoti, të arrestuar nga policia e Kavajës akuzohen nga prokuroria pir plagosje të rëndë me dashje.

Ndërkaq në orën 12:30 pritet të zhvillohet masa e sigurisë për Melson Nelën, xhaxhain e kamerierit, Genti Nela, që u kap me një kallashnikov dhe 3 karikatorë në automjet. Sipas policisë, ai po shkonte të hakmerrej ndaj dhunës së ushtruar mbi nipin i cili u përfshi në konflikt për pagën me vëllezërit Habilaj, bashkëpronarë të hotelit.

Si ndodhi ngjarja:

Një konflikt për pagesën e punës përfundoi me dhunimin e një kamarieri 18-vjeçar dhe rrezikoi të përshkallëzohej në një përplasje me armë zjarri.

Sipas hetimeve paraprake, Genti Nela, 18 vjeç, i cili punonte si kamarier në një hotel në Malin e Robit, u dhunua pas një konflikti lidhur me pagesën.

Për ngjarjen janë arrestuar Florian Habilaj, 28 vjeç, dhe Enold Dragoti, 20 vjeç, ndërsa Arbër Habilaj, 36 vjeç, është shpallur në kërkim. Personat e dyshuar janë pjesëtarë të familjes së pronarit të hotelit ose persona të afërt me ta.

Pas dhunimit, 18-vjeçari u dërgua në Spitalin e Kavajës për të marrë ndihmë mjekësore.

Situata mori një tjetër kthesë kur xhaxhai i të riut, 47-vjeçari Melison Nela, mësoi për ngjarjen dhe, sipas policisë, u nis drejt hotelit i armatosur, me qëllim hakmarrjen.

Policia e ndaloi pranë hotelit dhe gjatë kontrollit në automjet i gjeti në një çantë një kallashnikov, 3 karikatorë dhe 84 fishekë luftarakë. Ai u arrestua për armëmbajtje pa leje.

Ndërkohë, hetimet zbuluan se pas konfliktit vendngjarja ishte pastruar dhe kamerat e sigurisë ishin dëmtuar, pasi DVR-ja ishte hequr dhe kabllot ishin prerë.

Gjykata e Durrësit ka caktuar “arrest në burg” me afat 45 ditë për Florian Habilajn dhe Enold Dragotin, të dyshuar për plagosjen e rëndë me dashje. Hetimet vijojnë për të zbardhur të gjitha rrethanat dhe rolin e personave të përfshirë.

Top Channel