Dy persona janë arrestuar pas një operacioni për vjedhje banesash, biznesesh dhe automjetesh në Peqin.

Të arrestuarit janë shtetasit G. Y., 34 vjeç dhe F. J., 37 vjeç, të dy banues në Elbasan. Sipas hetimeve paraprake, dyshohet se ata kanë vepruar në bashkëpunim me njëri-tjetrin duke kryer vjedhje në banesa, biznese dhe automjete.

Tre prej rasteve të dokumentuara nga policia dyshohet se janë kryer gjatë javës së fundit, ndërsa hetuesit kanë vijuar punën për zbardhjen e plotë të aktivitetit të tyre.

Gjatë operacionit, uniformat blu sekuestruan një automjet të marrë me qira, i cili dyshohet se përdorej gjatë kryerjes së vjedhjeve. Gjithashtu, u gjetën dhe sekuestruan mjete të ndryshme që dyshohet se shërbenin për hapjen e dyerve, bravave dhe qepenave, si edhe veshje që dyshohet se janë përdorur nga autorët gjatë veprimeve kriminale.

Sipas policisë, nga vjedhjet janë marrë shuma parash dhe sende me vlerë, ndërsa hetimet vijojnë për të dokumentuar raste të tjera të mundshme ku dy të arrestuarit mund të jenë përfshirë.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprën penale “Vjedhja”, kryer në bashkëpunim.

Top Channel