Borxhi i SHBA arrin rekordin historik, kalon 40 trilionë dollarë. Pse është një sinjal alarmi

20/08/2026 07:10

Borxhi federal i Shteteve të Bashkuara ka arritur për herë të parë në 40 trilionë dollarë, një rekord që ngre shqetësime për ekonominë amerikane, tregjet financiare dhe kostot e huamarrjes për qytetarët dhe bizneset. Ekspertët paralajmërojnë se, nëse trendi vijon me ritmet aktuale, borxhi mund të arrijë në 50 trilionë dollarë brenda gjashtë viteve.

Borxhi federal i Shteteve të Bashkuara ka prekur shifrën rekord prej 40 trilionë dollarësh, sipas të dhënave të Departamentit të Thesarit amerikan.

Ky është një tjetër sinjal alarmi për financat e vendit, ndërsa borxhi po rritet me ritme gjithnjë e më të shpejta dhe pagesat për interesat po rëndojnë ndjeshëm buxhetin federal.

“Me rrugën që kemi ndjekur, do të arrijmë në 50 trilionë dollarë vetëm pas gjashtë vitesh. Më pak se 10 vite më parë ishim në 20 trilionë”, tha Michael Peterson, drejtues i Peter G. Peterson Foundation, një organizatë që monitoron financat publike.

Sipas tij, ritmi aktual i borxhit po vë në rrezik ekonominë dhe të ardhmen e Shteteve të Bashkuara.

Borxhi po rritet më shpejt se parashikimet

Shifra prej 40 trilionë dollarësh është arritur më herët nga sa parashikohej vetëm disa vite më parë.

Në maj të vitit 2023, Zyra e Buxhetit të Kongresit amerikan parashikonte se SHBA do ta kalonte këtë prag gjatë vitit fiskal 2028.

Vetëm në pesë muajt e fundit, borxhi federal është rritur me 1 trilion dollarë.

Ndërkohë, shpenzimet e qeverisë vijojnë të jenë më të larta se të ardhurat. Në 10 muajt e parë të këtij viti fiskal, SHBA ka regjistruar një deficit prej rreth 1.8 trilionë dollarësh.

Një nga faktorët kryesorë është plakja e popullsisë. Rreth 10 mijë persona nga brezi “Baby Boomers” dalin çdo ditë në pension, ndërsa jetëgjatësia është rritur. Kjo nënkupton shpenzime gjithnjë e më të mëdha për programet e sigurimeve shoqërore dhe Medicare.

Në të njëjtën kohë, Kongresi ka miratuar gjatë dekadave të fundit paketa që kanë ulur taksat dhe kanë rritur shpenzimet. Mes tyre janë Tax Cuts and Jobs Act i vitit 2017, ligji i vitit 2025 i administratës Trump, i njohur si One Big Beautiful Bill Act, si edhe paketat e ndihmës ekonomike gjatë pandemisë së COVID-19.

Këto masa pritet të shtojnë borxhin federal me triliona dollarë në vitet e ardhshme.

Interesat mbi borxhin kalojnë 1 trilion dollarë

Një nga problemet më të mëdha është rritja e kostos së interesave.

Për vite me radhë, normat e ulëta të interesit i mundësuan qeverisë amerikane të merrte hua me kosto relativisht të ulët. Situata ndryshoi kur Rezerva Federale nisi të rrisë normat e interesit për të luftuar inflacionin pas pandemisë.

Këtë vit, pagesat e interesave pritet të kalojnë 1 trilion dollarë, një rekord i ri.

Këto pagesa janë më shumë se trefishuar në pesë vitet e fundit dhe tashmë janë pothuajse në të njëjtin nivel me shpenzimet për Medicare. Pas Sigurimeve Shoqërore, interesat për borxhin janë ndër zërat më të mëdhenj të shpenzimeve federale.

SHBA po shpenzon tashmë më shumë për shërbimin e borxhit sesa për mbrojtjen kombëtare dhe rreth 50% më shumë sesa për programet për fëmijët.

“Po shpenzojmë shumë më tepër për të shlyer borxhet e së kaluarës sesa për të investuar në të ardhmen”, tha Marc Goldwein, drejtues politikash në Committee for a Responsible Federal Budget.

Sipas tij, borxhi po krijon edhe më shumë borxh, duke formuar një cikël të vështirë për t’u ndalur.

Pasojat prekin edhe kreditë dhe hipotekat

Rritja e borxhit amerikan nuk është vetëm një problem i qeverisë. Ajo ndikon drejtpërdrejt edhe në tregjet financiare dhe në kostot e huamarrjes për amerikanët.

Yield-i i obligacioneve 30-vjeçare të Thesarit amerikan arriti të martën nivelin më të lartë që nga viti 2007. Edhe yield-i 10-vjeçar është pranë niveleve më të larta të mandatit të dytë të Donald Trump.

Investitorët po kërkojnë kthime më të larta për të mbajtur borxhin amerikan, ndërsa shqetësimet për inflacionin, deficitin federal, rritjen e emetimeve të obligacioneve dhe politikën e ardhshme të Rezervës Federale shtojnë pasigurinë në treg.

Yield-i 10-vjeçar i Thesarit ndikon në mënyrë të drejtpërdrejtë në normat e hipotekave, kreditë për automjete dhe huatë për bizneset.

Kur yield-et rriten, kreditë bëhen më të shtrenjta, kushtet financiare shtrëngohen dhe konsumatorët mund të reduktojnë shpenzimet, ndërsa bizneset mund të frenojnë investimet.

Në të njëjtën kohë, rritja e yield-eve e bën edhe më të kushtueshme për qeverinë amerikane financimin e borxhit të saj.

“40 trilionë dollarë borxh nuk ekzistojnë vetëm në bilancet e qeverisë; pasojat ndihen në të gjithë ekonominë dhe, në një mënyrë apo tjetër, prekin edhe xhepat e qytetarëve”, tha Maya MacGuineas, presidente e Committee for a Responsible Federal Budget.

SHBA humbet edhe vlerësimin maksimal të kredisë

Në vitin 2025, agjencia Moody’s uli vlerësimin e borxhit të SHBA-së, duke i hequr vendit vlerësimin e fundit maksimal të kreditit.

Megjithatë, borxhi amerikan vazhdon të renditet një nivel poshtë vlerësimit maksimal dhe mbi borxhin sovran të ekonomive të mëdha si Franca dhe Japonia.

Administrata Trump ka ndërmarrë gjithashtu hapa për të mbështetur tregun e obligacioneve. Departamenti i Thesarit njoftoi se do të rrisë në muajt e ardhshëm riblerjet e obligacioneve afatgjata, një lëvizje që analistët e shohin si një përpjekje për të frenuar rritjen e yield-eve dhe kostot e huamarrjes.

Në fillim të këtij muaji, një ankand për obligacione 30-vjeçare amerikane regjistroi yield-in më të lartë që nga viti 2001, duke sinjalizuar se investitorët kërkojnë kompensim më të madh për të mbajtur borxhin amerikan.

Probleme të ngjashme po përballen edhe nga ekonomitë e tjera të mëdha. Në Mbretërinë e Bashkuar, Francë, Gjermani dhe Japoni, yield-et e obligacioneve qeveritare janë pranë niveleve më të larta të viteve të fundit, ndërsa investitorët shqetësohen për rritjen e shpenzimeve dhe deficiteve.

Me borxhin që po rritet me shpejtësi dhe kostot e interesave që po marrin një pjesë gjithnjë e më të madhe të buxhetit, sfida për Uashingtonin bëhet gjithnjë e më e madhe: të frenojë borxhin pa dëmtuar ekonominë dhe programet kryesore sociale.

Top Channel