“Misioni pa fund” i USS Abraham Lincoln, brenda aeroplanmbajtëses ku marinsat përballen me lodhje dhe tension të madh
Miliona banorë në Angli dhe Uells morën të premten një alarm emergjence në telefonat e tyre, pasi autoritetet paralajmëruan për rrezik serioz të zjarreve në nivel kombëtar.
Alarmet u aktivizuan rreth orës 19:00 dhe shoqëroheshin me një sinjal sirene, duke u kërkuar qytetarëve të shmangin çdo aktivitet që mund të shkaktojë flakë.
Autoritetet u kanë bërë thirrje njerëzve të mos ndezin barbekju, zjarre kampi apo fishekzjarre dhe të shmangin çdo veprim tjetër që mund të shkaktojë zjarr. Në rast se dikush konstaton një vatër zjarri, kërkohet që të njoftojë menjëherë shërbimet e emergjencës në numrin 999.
Zëvendëskryeministrja Louise Haigh e cilësoi këtë si përdorimin më të gjerë deri tani të sistemit britanik të alarmit emergjent për një incident aktiv, duke theksuar se masa tregon seriozitetin e situatës dhe përpjekjet e qeverisë për të mbrojtur njerëzit dhe pronën.
Paralajmërimi vjen pas një serie zjarresh të mëdha që kanë përfshirë disa zona të Anglisë dhe Uellsit. Në Stourbridge, në West Midlands, zjarret kanë shkaktuar dëme në banesa dhe kanë lënë persona të plagosur. Autoritetet kanë paralajmëruar se vendi po përballet me një fundjavë veçanërisht të vështirë për shkak të kushteve të nxehta dhe të thata.
Në kuadër të masave parandaluese, është njoftuar edhe ndalim i përkohshëm kombëtar për shitjen e barbekjuve njëpërdorimshe. Masa do të mbetet në fuqi për aq kohë sa rreziku nga zjarret konsiderohet i lartë.
Situata është veçanërisht shqetësuese në Uells, ku ushtria është angazhuar për të mbështetur shërbimet e emergjencës. Rreth 100 ushtarakë janë vendosur në terren, ndërsa një numër i ngjashëm pritet t’u bashkohet ekipeve për të ndihmuar me furnizimin me ujë dhe mbështetjen logjistike.
Bilanci i zjarreve këtë vit ka kaluar tashmë shifrat e vitit të kaluar. Në Angli dhe Uells janë regjistruar më shumë se 1,017 zjarre, duke tejkaluar totalin e regjistruar gjatë vitit 2025. Vetëm në një periudhë 24-orëshe, shërbimet zjarrfikëse raportuan 11 incidente të mëdha.
Top Channel