Pas polemikave Trump-Musk-Zelensky, Ukraina njofton rikthimin e Starlink: Dronët fitojnë kapacitetet e mëparshme

24/10/2026 13:50

Ukraina ka rikthyer një lidhje të qëndrueshme me rrjetin satelitor Starlink, pasi ushtria përjetoi disa ditë me kufizime në komunikim. Lajmi u bë i ditur nga ministri ukrainas i Mbrojtjes, Yevhenii Khmara, i cili deklaroi se tashmë rrjeti mundëson funksionimin edhe me shpejtësi mbi 400 km/orë.

Ky zhvillim vjen pas shqetësimeve të ngritura nga Kievi për kufizimet që prekën përdorimin e Starlink nga forcat ukrainase, të cilat mbështeten te ky rrjet për drejtimin e dronëve, komunikimin dhe operacionet ushtarake në vijën e frontit.

Javën e kaluar, autoritetet ukrainase pretenduan se kufizimet e vendosura në rrjet shkaktonin humbjen e lidhjes së dronëve që lëviznin me shpejtësi mbi 161 km/orë. Presidenti amerikan, Donald Trump, mohoi të kishte urdhëruar kufizime të tilla, ndërsa më pas deklaroi se Elon Musk, pronari i kompanisë SpaceX, e kishte rikthyer shërbimin.

“Ky rezultat është mbi të gjitha i rëndësishëm për frontin tonë, për ushtarët tanë, për operacionet me dronë, logjistikën dhe komunikimet”, deklaroi Khmara në një reagim të publikuar të shtunën.

Ushtria ukrainase përdor gjerësisht rrjetin Starlink, i cili përbëhet nga mijëra satelitë në orbitë të ulët të Tokës, veçanërisht në zonat e largëta të fushëbetejës.

Përveç shërbimit civil Starlink, Ukraina përdor edhe Starshield, një sistem më i sigurt komunikimi satelitor i projektuar për përdorime qeveritare dhe ushtarake. Elon Musk ka deklaruar më herët se Starshield kontrollohet nga ushtria amerikane, duke ngritur pikëpyetje mbi rolin e Uashingtonit në problemet e fundit të komunikimit.

Starlink nuk është i autorizuar për përdorim nga Rusia. Sipas raportimit, rrjeti nuk funksionon kur Ukraina përdor raketa ose dronë me rreze të gjatë veprimi për të goditur objektiva thellë në territorin rus, përfshirë rafineritë e naftës.

Debati për Starlink u zhvillua në një moment tensionesh diplomatike mes presidentit amerikan Donald Trump dhe homologut të tij ukrainas, Volodymyr Zelensky, lidhur me sulmet ukrainase ndaj infrastrukturës ruse të naftës.

Kievi i konsideron këto sulme të rëndësishme për të dobësuar të ardhurat që financojnë luftën e Moskës. Trump, nga ana tjetër, ka argumentuar se goditjet ndaj rafinerive ruse kanë ndikuar në rritjen e çmimeve globale të karburanteve.

Zelensky deklaroi gjithashtu se SHBA-ja kishte kërcënuar të ndërpriste ndarjen e informacioneve të inteligjencës me Ukrainën nëse sulmet nuk ndaleshin. Trump e mohoi edhe këtë pretendim.

Ndërkohë, luftimet vijojnë në terren. Autoritetet ruse njoftuan të shtunën për ndërprerje të energjisë elektrike në Krimenë e aneksuar nga Rusia, pas një sulmi ukrainas me dronë. Sipas guvernatorit të mbështetur nga Moska, Sergey Aksyonov, u vendosën kufizime edhe në furnizimin me ujë.

Në një tjetër incident, autoritetet e mbështetura nga Rusia raportuan se të paktën tre persona u vranë dhe një tjetër u plagos nga një sulm ukrainas në rajonin e Kharkivit.

Top Channel