Shtatë të vrarë dhe disa të plagosur, dëshmitë tronditëse nga sulmi me armë në një kishë në Jordani: Disa mbanin në krahë të vdekurit

24/10/2026 12:38

Të paktën shtatë persona janë vrarë dhe 34 të tjerë janë plagosur pas një sulmi të armatosur ndaj një kishe në provincën Karak, në Jordani, gjatë një ceremonie mortore të premten. Lajmi u konfirmua nga zyrtarët vendas, ndërsa autorët vijojnë të jenë në kërkim.

Sipas autoriteteve, personat e armatosur mbërritën me një automjet, hynë në ambientet e kishës në zonën e Hmoud dhe hapën zjarr ndaj personave që ndodheshin aty. Më pas, ata u larguan nga vendngjarja. Deri më tani, asnjë grup nuk ka marrë përgjegjësinë për sulmin.

Ministri i Brendshëm i Jordanisë, Mazen al-Faraya, deklaroi se autoritetet po punojnë për kapjen e autorëve, të cilët i përshkroi si një “grup ekstremistësh”.

Fillimisht, u raportua për shtatë viktima, por më pas një zëdhënës i qeverisë njoftoi se numri kishte zbritur në gjashtë, për t’u konfirmuar sërish më vonë në shtatë.

Pamjet e kamerave të sigurisë, të verifikuara nga BBC, duket se tregojnë tre persona të armatosur duke iu afruar kishës nga rruga. Dy prej tyre shihen duke hyrë drejt një porte të kompleksit, përpara se të tërhiqen për pak çaste dhe të kthehen së bashku me personin e tretë. Të tre duket se mbajnë armë zjarri.

Dëshmitarët kanë përshkruar skena paniku brenda kishës, ku njerëzit u përpoqën të gjenin strehim poshtë stolave dhe të largoheshin nga dritaret. Në ndërtesë dëgjoheshin britma dhe lutje, ndërsa besimtarët përpiqeshin të shpëtonin.

Khalid al-Mdanat, i cili ndodhej në kishë gjatë sulmit, i tha BBC Arabic se ngjarja zgjati rreth 15 minuta dhe se njerëzit tentonin të largoheshin ndërsa të shtënat vazhdonin.

“Disa kërkonin strehim, disa mbanin në krahë të vdekurit, të tjerë përqafonin djemtë e tyre, ndërsa disa merrnin fëmijët dhe largoheshin”, rrëfeu ai.

Sipas dëshmitarit, sulmuesit u larguan me një automjet tip kamionçinë, duke qëlluar edhe gjatë largimit.

Një tjetër dëshmitar e përshkroi situatën si katastrofike, duke treguar se fillimisht kishte menduar se bëhej fjalë për një problem elektrik, përpara se të shihte njerëz të plagosur në tokë.

Një grua që ndodhej në kishë tha se të shtënat nisën pak sekonda pas një lutjeje. Ajo përshkroi britmat dhe kaosin që pasuan, duke shtuar se, kur doli jashtë, pa trupa të shtrirë në oborr.

Mbreti i Jordanisë, Abdullah II, dënoi sulmin dhe deklaroi se autorët do të përballen me ndëshkimin më të ashpër. Ai u shpreh se autoritetet do të reagojnë me vendosmëri ndaj aktit terrorist që goditi provincën Karak.

Ministri i Brendshëm e cilësoi ngjarjen si “të dhimbshme dhe të tmerrshme”, duke theksuar se bëhet fjalë për një ngjarje të paprecedentë në historinë e Mbretërisë Hashemite të Jordanisë.

Pas sulmit, masat e sigurisë u shtuan në spitalin ku po trajtoheshin të plagosurit. Pranë godinës u krijua një atmosferë e tensionuar, ndërsa familjarët e viktimave dhe të plagosurve shprehnin dhimbjen dhe zemërimin e tyre. Disa qytetarë ngritën shqetësime për mënyrën se si autoritetet përballen me kërcënimet ekstremiste.

Mbreti Abdullah II vizitoi të plagosurit, ndërsa kontrollet dhe masat e sigurisë u përforcuan në zonën përreth spitalit.

Provinca Karak, në jug të kryeqytetit Aman, ka një komunitet të konsiderueshëm të krishterë. Sulmet e këtij lloji janë të rralla në Jordani, megjithëse vendi është përballur edhe më parë me episode të rënda dhune.

Presidenti i Libanit, Joseph Aoun, dënoi sulmin, duke e cilësuar atë si një akt terrorist të urryer. Sipas mediave libaneze, ai deklaroi se sulmi cenon shenjtërinë e ceremonisë mortore dhe bie ndesh me vlerat fetare dhe njerëzore.

Autoritetet jordaneze vijojnë hetimet për identifikimin dhe kapjen e personave përgjegjës, ndërsa vendi është në zi pas sulmit që mori jetën e shtatë personave dhe plagosi dhjetëra të tjerë.

Top Channel