Odiseja sjell turistë në Itakë/ Bum vizitorësh pas filmit të Nolanit, edhe pse asnjë skenë nuk u xhirua në ishullin grek

10/08/2026 15:33

Itaka, ishulli grek që besohet të jetë atdheu i Odisesë në poemën e Homerit, po përballet me një bum turistësh, pas publikimit të filmit të Christopher Nolan, The Odyssey.

“Kam studiuar greqisht kur isha fëmijë dhe kam studiuar Odisenë. Ka qenë gjithmonë ëndrra ime të vij këtu”, u shpreh një nga turistët.

Në të gjithë ishullin, poema e Homerit kujtohet dhe promovohet përmes monumenteve e statujave si edhe përmes produkteve që shiten në dyqanet e suvenireve.

Sheshet e fshatrave dhe bashkia janë të mbushura me statuja të Odisesë dhe Homerit, ndërsa në porti, varkat lundrojnë në ujërat e kristaltë me emra si “Telemaku”, djali i Odisesë apo “Kalipso”, nimfa që e mbajti atë të burgosur.

Dyqanet e suvenireve ofrojnë buste të Homerit dhe Penelopës, gruas së Odisesë apo për kë do të shpenzojë më shumë, mund të gjejë statuja që imitojnë Kalin e Trojës.

Itaka, në Detin Jon është larg qendrave turistike të vendit dhe, pavarësisht ujërave të kristalta dhe gjireve spektakolare, nuk ka qenë kurrë një ndalesë e rregullt për udhëtarët. Tani, filmi ka zgjuar interesin e shumë vizitorëve, ndonëse asnjë skenë e filmit nuk u xhirua në Itakë.

Ky vendim ka lënë disa banorë të zhgënjyer në ishullin me rreth 3,000 banorë, ku filmi është shfaqur vetëm dy herë në kinema të hapur që nga premiera botërorfe në 16 korrik, raporton AFP.

Kryetari i bashkisë së Itakës, Dionysis Stanitsas, u shpreh: “Ne kishim kontaktuar ekipin e produksionit dhe kishim kërkuar që disa skena të xhiroheshin këtu, në ishull. Fatkeqësisht, kjo nuk ishte e realizueshme. Megjithatë, sa më shumë njerëz ta shohin Odisenë, aq më shumë do të planifikojnë udhëtime për të vizituar ishullin dhe ne i mirëpresim”.

Ndërsa arkeologët shprehen të lumtur për rritjen e vizitorëve, të cilët sipas tij, nuk duan vetëm rërë dhe det, ata donin historinë dhe mitologjinë.

Top Channel