Protestat në Europë/ 1,000 arrestime dhe të plagosur në Francë, incidente në Tiranë, plaçkitje në Spanjë, protestuesit sulmuan Koloseun

25/10/2026 09:10

Protestat dhe trazirat sociale janë përhapur në disa vende evropiane, ku mijëra qytetarë, kryesisht të rinj, kanë dalë në rrugë për të kundërshtuar politikat qeveritare, pabarazitë ekonomike, korrupsionin dhe krizën e strehimit.

Protestat dhe trazirat sociale janë përhapur në disa vende evropiane, ku mijëra qytetarë, kryesisht të rinj, kanë dalë në rrugë për të kundërshtuar politikat qeveritare, pabarazitë ekonomike, korrupsionin dhe krizën e strehimit. Franca është përballur me demonstratat më të mëdha, të shoqëruara me përleshje me policinë dhe qindra arrestime, ndërsa incidente janë regjistruar edhe në Spanjë, Itali, Shqipëri, Portugali dhe Belgjikë.

Sipas raportimeve të mediave, të shtunën, më 24 tetor, në Francë morën pjesë rreth 410 mijë persona në protesta në shkallë kombëtare, ndërsa sindikatat pretenduan se numri ishte më i lartë. Autoritetet angazhuan rreth 70 mijë efektivë policie, ndërsa numri i arrestimeve iu afrua 1 mijë.

Në Paris, ku u mblodhën më shumë se 100 mijë demonstrues, protestat u shoqëruan me përplasje mes protestuesve dhe policisë, hedhje objektesh, zjarrvënie dhe përpjekje për plaçkitje. Forcat e rendit përdorën gaz lotsjellës dhe topa uji për të shpërndarë turmat. Incidente u regjistruan edhe në disa qytete të tjera franceze.

Në Bordo, Nantes, Toulon dhe Grenoble pati arrestime, dëme materiale dhe të plagosur, ndërsa grupe protestuesish ngritën barrikada dhe sulmuan efektivët e policisë. Në Grenoble, sipas raportimeve, tetë efektivë policie dhe shtatë protestues mbetën të plagosur.

Përplasje në Tiranë, protestuesit kërkojnë dorëheqjen e Ramës

Edhe Shqipëria u përfshi në valën e protestave, me përplasje të dhunshme në Tiranë të shtunën, më 24 tetor. Demonstruesit kërkuan dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, ndërsa protestat e studentëve për arsimin u ndërthurën me pakënaqësinë më të gjerë ndaj qeverisë.

Sipas raportimeve, protestuesit hodhën gurë, fishekzjarre dhe bomba Molotov drejt policisë, ndërsa në disa zona u dogjën kazanë mbeturinash dhe u dëmtuan ambiente publike e private. Zjarre u raportuan edhe në godinat e Ministrisë së Mjedisit, Ministrisë së Bujqësisë dhe Bashkisë së Tiranës.

Policia përdori gaz lotsjellës dhe ujë me presion për të shpërndarë turmat. Në terren u angazhuan rreth 2.500 efektivë, ndërsa autoritetet raportuan dëme materiale dhe persona të lënduar.

Përplasje në Romë, protestuesit tentojnë të hyjnë në Koloseum

Në Itali, demonstrata u zhvilluan në Romë, Milano dhe Torino. Në kryeqytet, tensionet u përqendruan pranë Piazza della Repubblica, ku policia ndërhyri për të ndaluar përplasjet me protestuesit.

Një grup demonstruesish tentoi të kalonte perimetrin e sigurisë së Koloseumit dhe të hynte në monumentin historik, por u largua nga autoritetet. Ndërkohë, në Milano dhe Torino u zhvilluan tubime ku morën pjesë edhe studentë.

Arrestime dhe dëme në Barcelonë

Në Spanjë, protesta dhe incidente u raportuan në Barcelonë, ku, sipas materialit të publikuar nga mediat, rreth 100 persona u arrestuan. Mbi 30 zjarre u regjistruan në rrugë, ndërsa 14 dyqane u dëmtuan ose u plaçkitën.

Pamjet e shpërndara në rrjetet sociale treguan masa të shtuara sigurie në ambientet tregtare, pasi disa grupe tentuan të hynin në dyqane. Lëvizja është përshkruar nga disa organizatorë si kundër sistemit, me pjesëmarrjen e të rinjve që kundërshtojnë situatën ekonomike dhe politike.

Protesta për strehimin dhe kostot e jetesës

Në Portugali, mijëra qytetarë dolën në rrugë në Lisbonë dhe Porto, duke kundërshtuar rritjen e qirave, vështirësitë ekonomike dhe krizën e strehimit që prek veçanërisht të rinjtë.

Tensionet u shtuan gjatë natës, kur policia ndërhyri për të larguar kampet e protestuesve nga sheshi Rossio në Lisbonë. Sipas raportimeve, pati arrestime dhe persona të lënduar, ndërsa operacione të ngjashme u zhvilluan edhe në Porto.

Protesta u zhvilluan gjithashtu në Belgjikë, në kuadër të mobilizimeve që kanë përfshirë disa vende evropiane.

Autoritetet në gatishmëri për protesta të reja

Pas incidenteve të së shtunës, autoritetet në Francë dhe në vende të tjera evropiane vijojnë të monitorojnë situatën, në pritje të tubimeve të reja.

Megjithëse protestat kanë arsye të ndryshme nga një vend në tjetrin, shqetësimet për koston e jetesës, pabarazitë ekonomike, kushtet e arsimit dhe pakënaqësia ndaj politikave qeveritare janë ndër temat që kanë nxitur mobilizimet.

Në Francë, ku demonstratat kanë marrë përmasa të mëdha, autoritetet kanë shtuar masat e sigurisë pas përplasjeve dhe arrestimeve të shumta. Ndërkohë, incidentet në Tiranë dhe në qytete të tjera evropiane tregojnë se tensionet sociale mbeten një sfidë për autoritetet.

Top Channel