Rama reagon për plagosjen e të riut në sy: Pasojë e dhunës, u kujdesa personalisht të shkojë në spitalin më të mirë në Itali
Nga Ilir Demalia
Prej kaq ditësh, Tirana ka hyrë në një spirale vandalizmi, që nuk ka më asgjë të përbashkët me protestën paqësore, me arsyen “akademike” dhe as me luftën politike. Kur protesta i dorëzon arsyen turmës, kur fjala zëvendësohet me gurë, molotovë, zjarr dhe shkatërrim, atëherë nuk kemi më të bëjmë me demokraci, por me një shfaqje të shëmtuar të dhunës politike.
Një protestë e ushqyer me gjuhën e urrejtjes dhe të dhunës nga forcat politike, që ia dorëzojnë arsyen turmës dhe vandalizmit, nuk mund të prodhojë as rezultat politik, as demokraci dhe as liri fjale. Mund të prodhojë vetëm anarki, frikë, destabilitet dhe një shoqëri të marrë peng nga ata që pretendojnë se flasin në emër të saj.Demokracia nuk është e drejta për të shkatërruar, por liria për të kundërshtuar. Protesta është e drejtë, vandalizmi është krim. Dhe këto dy gjëra nuk mund të ngatërrohen, sado që politikanët, për interesat e tyre, përpiqen t’i paraqesin si një e vetme.
Një turmë e nxitur politikisht, që del në rrugë jo për të shprehur një kërkesë, por për të shkatërruar, është shfaqje e primitivitetit të një kulture politike që nuk ka arritur të ndërtojë institucione të shëndosha, as politike dhe as edukative. Sepse shkollimi nuk është vetëm të dish të lexosh e të shkruash. Është të mësosh të mendosh, të dallosh të drejtën nga e padrejta, të respektosh tjetrin dhe të kuptosh se liria jote përfundon aty ku fillon liria e tjetrit.Kur politika nuk arrin të bindë me ide, kërkon të bindë me zhurmë. Kur nuk arrin të fitojë me votë, përpiqet të fitojë me turmë.
Kur nuk ka program për të nesërmen, ndez zjarrin sot dhe ia paraqet flakët si shpresë për popullin.Kjo është tragjedia e një pjese të politikës shqiptare, e cila, pas 36 vjetësh, ende nuk ka mësuar se pushteti nuk merret duke djegur vendin, por duke bindur qytetarët.Media: nga pushteti i katërt në altoparlant të vandalizmitNjë rol mjaft negativ në frymëzimin dhe legjitimimin e këtij vandalizmi po luan edhe një pjesë e medias shqiptare.
Një media që për vite me radhë ka qenë shërbëtore e pushteteve politike, e interesave ekonomike dhe e grupeve të caktuara, ndërsa një pjesë e analistëve të banakëve të darkës duket se kanë ngatërruar gazetarinë me interesin, informacionin me propagandën dhe analizën me urdhrin politik.Kur interesat përputhen me pushtetin, heshtin. Kur interesat u prishen, bëhen revolucionarë. Kur u preken privilegjet, ndezin hujt e zjarrit me bandat politike që kërkojnë pushtet, jo për të ndërtuar një shtet më të mirë, por për të larë hesapet me shtetin, me tatimet, faturat e papaguara, ndërtimet pa leje dhe gjithë ato interesa që duan të mbeten jashtë ligjit.
Kjo nuk do të thotë se çdo kritikë ndaj qeverisë buron nga interesa të tilla. Kritika ndaj qeverisë është e domosdoshme në një demokraci. Por pikërisht këtu qëndron dallimi: një gjë është të kërkosh llogari për korrupsionin dhe abuzimin, dhe tjetër gjë është të përdorësh pakënaqësinë publike si mbulesë për interesa private, ekonomike apo politike.Dhe këtu përgjegjësia është edhe e shtetit. Për vite me radhë, pushtetet politike kanë toleruar media dhe individë të caktuar, duke menduar se mund t’i përdorin në interesin e tyre. Por kur media ushqehet me favore, tolerime dhe marrëveshje të heshtura, vjen një ditë kur kjo marrëdhënie kthehet në bumerang. Shteti që mendon se e ka median në xhep, një ditë mund të gjendet vetë peng i saj.Një media serioze duhet të jetë pushteti i katërt, jo dega e propagandës së një partie. Duhet të informojë, të hetojë, të kritikojë dhe të verifikojë.
Jo të ngatërrojë tribunën e protestës me redaksinë, mikrofonin me megafonin politik dhe reporterin me organizatorin e turmës.Gazetarët gjysmë ore në tribunat e protestës dhe gjysmë ore me mikrofon në dorë, duke bërë reporterin e një ngjarjeje ku vetë janë pjesë e skenografisë politike. Ku ndodh kjo në botën e medias serioze? Çfarë besueshmërie mund të kenë këto modele të gazetarisë, ku kufiri mes raportimit dhe militantizmit zhduket sapo ndizet kamera?Dhe pastaj çuditemi pse publiku nuk u beson më.Kur analisti i thërret qytetarit të marrë kallashnikovinKu ka analistë në botën demokratike si Bushati, që, sipas deklarimeve të bëra publikisht dhe mënyrës se si interpretohen prej publikut, arrijnë deri te thirrjet për qytetarët të kapin kallashnikovët? Nëse bëhet fjalë për një thirrje të tillë, ajo nuk është analizë politike. Është kapërcim i kufirit mes fjalës dhe nxitjes së dhunës, një kufi që një shoqëri demokratike nuk duhet ta lejojë të zhduket.Ku ka analistë si Armand Shkullaku, të cilit i atribuohet thirrja që protestuesit të fotografojnë policët dhe të kërkojnë se ku i kanë fëmijët, në cilat shkolla shkojnë? Nëse kjo është thirrja, atëherë nuk kemi të bëjmë më me llogaridhënie ndaj policisë, por me një logjikë intimidimi që rrezikon të prekë edhe familjarët e njerëzve që ushtrojnë detyrën.Polici mund të hetohet, të kritikohet dhe të mbajë përgjegjësi për çdo shkelje të ligjit. Por fëmijët e tij nuk janë objekt lufte politike. Familja e një polici nuk është armik i protestuesit.
Të kërkosh adresat, shkollat dhe jetën private të familjarëve për t’i ekspozuar ndaj presionit është një rrugë e rrezikshme, që nuk ka lidhje me demokracinë.Nëse policia shkel ligjin, ka institucione, prokurori, gjykata dhe mekanizma për të kërkuar përgjegjësi. Nëse gazetari ka fakte, t’i publikojë. Nëse analisti ka argumente, t’i paraqesë. Por kur fjala përdoret për të identifikuar shënjestra dhe për t’i vënë njerëzit nën presion, atëherë kush po e mbron demokracinë dhe kush po e gërryen atë?Dhe këta shkullakët e medias me syrin vigjilent të SYRI-t, që dje e sot e paraqesin veten si zëri i popullit, duhet të japin llogari për standardet e tyre, jo të shpallen pronarë të së vërtetës. Dhe ky Shkullaku dhe shkullaket e medias me SYRIN vigjilent “Në Shërbim të Popullit” si BOZHURE të partise dje dhe sot, të pasuruar ne vila ne Palase, mal-fushe e koder, kur fillon perplasja civile, keta nga syte kembet marrin arratine ne Maqedoni, Greqi… dhe kthehen si perfasues të paqes me gjakun që nxiten.
Ata që e kanë kaluar jetën duke u pozicionuar pranë pushteteve, duke i shërbyer interesave politike dhe duke ndërtuar privilegje, nuk mund të veshin papritur petkun e revolucionarit dhe të pretendojnë se përfaqësojnë qytetarin e zakonshëm.Ata që janë pasuruar, që kanë vila në Palasë e gjetkë, nuk bëhen përfaqësues të varfërisë vetëm sepse dalin në ekran me një ton të zemëruar. Pasuria nuk është krim. Por standardi i dyfishtë, mungesa e transparencës dhe përdorimi i zemërimit popullor si instrument politik janë çështje që meritojnë pyetje publike.
Dhe kur situata përshkallëzohet, kur qytetarët përplasen me policinë dhe institucionet, kush mban përgjegjësi për fjalët që janë hedhur si benzinë mbi zjarrin? Ata që e kanë nxitur nga tribunat dhe ekranet, apo vetëm të rinjtë që përfundojnë në rrugë, përballë policisë dhe drejtësisë?Nuk mund të jesh luftëtar i revolucionit në studio dhe apostull i paqes kur vjen puna për të paguar çmimin e pasojave. Nuk mund të ndezësh zjarrin dhe pastaj të largohesh nga tymi, duke u kthyer më vonë si ndërmjetës i paqes.
Opozita e SHQUP-it dhe demagogët e rinjNë krye të kësaj politike që riciklon konfliktin qëndron gangrena 36-vjeçare e SHQUP-it, me historinë e saj të shkatërrimit, djegies dhe përpjekjeve për ta kthyer krizën politike në krizë shtetërore. Një opozitë që, në vend se të ndërtojë besueshmëri përmes programit, alternativës dhe figurave të pakomprometuara, vazhdon të ushqehet me konfliktin e përhershëm.
Por nuk janë vetëm të vjetrit. Edhe Qorrët, Shehajt, Lapajt dhe të tjerë që shfaqen si alternativa të reja, si zëra kundër oligarkisë dhe si shpëtimtarë të popullit, duhet të përgjigjen për standardet që kërkojnë nga të tjerët. Nuk mjafton të bërtasësh kundër oligarkëve për t’u shpallur automatikisht i pastër.
Nuk mjafton të flasësh për hallet e popullit për të provuar se je në anën e tij.Transparenca duhet të jetë standard për të gjithë: për pasuritë personale dhe familjare, për burimet e financimit të partive, për donatorët, për konfliktet e interesit dhe për çdo lidhje të mundshme që mund të ndikojë në vendimmarrjen politike. Çdo pretendim për lidhje të fshehta me interesa kriminale apo të huaja duhet të provohet me fakte, jo të hidhet si akuzë pa prova. Por po aq e vërtetë është se askush që kërkon pushtet nuk duhet të fshihet pas parullave dhe të refuzojë pyetjet e ligjshme të publikut.Ku janë programet e tyre konkrete? Si do të krijojnë vende pune? Si do të përmirësojnë arsimin, shëndetësinë, drejtësinë dhe administratën? Si do të luftojnë korrupsionin pa e kthyer shtetin në plaçkë të radhës? Si do të ndërtojnë Shqipërinë e së nesërmes?Për këto pyetje duhet të përgjigjen. Jo me parrulla, jo me britma, jo me molotovë. Dhe sidomos jo duke u fshehur pas shprehjes “në emër të popullit”.
Sepse populli nuk është pronë e Berishës, as e Qorrit, as e Shehajt, as e Lapajt, as e Ramës. Populli është shoqëria shqiptare në tërësinë e saj, me bindje të ndryshme, interesa të ndryshme dhe të drejta të barabarta. Asnjë parti nuk ka monopolin e tij.Kush është populli: turma që shkatërron apo qytetari që paguan?Këtu qëndron pyetja që duhet t’i bëjmë vetes: kush është populli në emër të të cilit pretendojnë se veprojnë këta politikanë?A janë vetëm ata që dalin në shesh dhe hedhin molotovë? Po qytetarët e tjerë ku janë? Po bizneset që digjen e shkatërrohen?
Po institucionet që dëmtohen? Po rrugët, semaforët, hapësirat publike dhe pronat që paguhen me taksat e qytetarëve? Po familjet që nesër duhet të kalojnë nëpër rrugët e shkatërruara dhe të përballojnë pasojat ekonomike të këtij vandalizmi?Kush i paguan dëmet? Vandalët? Organizatorët? Politikanët që ndezin zjarrin? Analistët që e justifikojnë?
Apo, si gjithmonë, qytetari i zakonshëm, ai që punon, paguan taksat, mban familjen dhe nuk ka as kohë, as para, as dëshirë të përfshihet në luftërat e pushtetit?Përgjigjja dihet. Në fund, faturën e paguan shoqëria.Prandaj është hipokrizi të flasësh për popullin duke shkatërruar atë që i përket popullit. Është hipokrizi të kërkosh një Shqipëri më të mirë duke djegur pronën publike dhe duke dëmtuar bizneset e qytetarëve. Është hipokrizi të flasësh për demokraci ndërsa përpiqesh të imponosh vullnetin tënd përmes frikës dhe dhunës.
Një turmë mund të jetë e zhurmshme, por zhurma nuk e bën shumicë. Një protestë mund të jetë e madhe, por numri nuk e shndërron vandalizmin në legjitimitet politik. Edhe dhjetë mijë njerëz, nëse shkelin ligjin dhe shkatërrojnë pronën e tjetrit, nuk fitojnë të drejtën të vendosin mbi miliona qytetarë që nuk janë aty.Demokracia nuk matet vetëm me ata që dalin në shesh. Ajo matet edhe me të drejtat e atyre që nuk dalin, me sigurinë e atyre që punojnë, me pronën e atyre që investojnë dhe me lirinë e atyre që mendojnë ndryshe.Qeveria ka përgjegjësi: Rama duhet të ulë kokën dhe të reformojëTë gjitha këto nuk do të thonë se qeveria duhet të justifikohet për gabimet, skandalet, korrupsionin, arrogancën apo dështimet e saj.
Përkundrazi.Qeveria dhe kryeministri duhet ta ulin kokën, të bëjnë bilancin e gabimeve, të pastrojnë dhe të riformatojnë qeverinë e administratën, të forcojnë përgjegjësinë institucionale dhe të përshpejtojnë reformat që e çojnë Shqipërinë drejt Bashkimit Europian.
Nuk mund të kërkosh qytetari të përgjegjshme nga poshtë, ndërsa nga lart toleron papërgjegjshmërinë. Nuk mund të kërkosh respekt për ligjin nga qytetari, ndërsa vetë shteti e zbaton atë në mënyrë selektive. Nuk mund të kërkosh besim te institucionet pa i bërë institucionet të denja për besim.Qeveria duhet të kuptojë se pushteti nuk është pronë private, as mandat për të bërë çfarë të duash. Është përgjegjësi publike. Dhe kur kjo përgjegjësi shpërdorohet, qytetarët kanë të drejtë të protestojnë, të kërkojnë dorëheqje, të kërkojnë hetime dhe të votojnë për ndryshim.Por pikërisht këtu duhet të ndahet përgjegjësia e qeverisë nga përgjegjësia e opozitës. Gabimet e qeverisë nuk i japin opozitës licencë për dhunë. Korrupsioni nuk e justifikon vandalizmin.
Arroganca e pushtetit nuk e shndërron turmën në institucion. Dhe dështimet e një kryeministri nuk i japin askujt të drejtën të marrë pushtetin me forcë.Nëse qeveria ka dështuar, le të përgjigjet para qytetarëve. Nëse ministrat kanë abuzuar, le të hetohen. Nëse ka korrupsion, le të provohet dhe të dënohet sipas ligjit. Nëse ka humbur besimin, le të përballet me votën. Kjo është rruga e demokracisë, jo djegia e rrugës.Shqipëria e provoi këtë gangrenë në vitin 1998Shqipëria ka një kujtesë të hidhur për atë që ndodh kur kriza politike del jashtë institucioneve dhe dhuna merr drejtimin e ngjarjeve. Viti 1998 mbetet një nga momentet më të rënda të përplasjes politike dhe të cenimit të rendit kushtetues në vend.Historia duhet të shërbejë si paralajmërim, jo si model për t’u përsëritur. Pushteti i marrë me dhunë nuk krijon institucione të forta. Krijon precedent që nesër mund të përdoret nga kushdo kundër kujtdo.
Kur njëra palë e shpall dhunën të ligjshme sepse mendon se ka të drejtë, nesër pala tjetër mund të bëjë të njëjtën gjë.Dhe kështu fillon cikli i pafund i hakmarrjes politike, ku askush nuk njeh më rregulla, askush nuk pranon humbjen dhe çdo palë e konsideron veten të autorizuar të shkatërrojë shtetin për të ardhur në pushtet.
Shqipëria nuk ka nevojë për një tjetër vit 1998. Nuk ka nevojë për një tjetër krizë që e kthen politikën në luftë dhe qytetarin në peng. Ka nevojë për institucione, drejtësi, përgjegjësi dhe një kulturë politike që pranon se kundërshtari nuk është armik për t’u asgjësuar.Dhe asnjë forcë politike nuk duhet të mashtrohet se dhuna mund t’i sigurojë legjitimitet ndërkombëtar.
Marrja e pushtetit me dhunë bie ndesh me parimet demokratike mbi të cilat mbështeten aleanca jonë me Shtetet e Bashkuara, integrimi europian dhe marrëdhëniet me botën demokratike. Aleatët tanë nuk janë aty për t’i dhënë bekimin çdo aventure politike, por për të mbështetur një Shqipëri demokratike, të qëndrueshme dhe me institucione që funksionojnë.Rruga e vetme është dialoguNë këtë situatë, rruga e vetme është dialogu. Jo dialogu si fjalë boshe, as si fotografi për mediat, por dialogu si përgjegjësi politike.Qeveria duhet të dëgjojë, të reflektojë dhe të korrigjojë gabimet. Opozita duhet të paraqesë kërkesa konkrete dhe të pranojë rregullat demokratike. Media duhet të heqë dorë nga nxitja e urrejtjes dhe të rikthehet te faktet.
Institucionet duhet të garantojnë të drejtën e protestës, por edhe të mbrojnë qytetarët dhe pronën publike nga dhuna. Kush kryen akte kriminale duhet të përgjigjet individualisht para ligjit, pa dallim politik dhe pa ndëshkime kolektive.Dialogu nuk është dobësi.
Është shenjë pjekurie politike. Të ulesh në tryezë nuk do të thotë të heqësh dorë nga bindjet e tua. Do të thotë të kuptosh se vendi është më i madh se partia, shteti më i rëndësishëm se karriera politike dhe jeta e qytetarëve më e çmuar se çdo betejë për pushtet.Asnjë palë nuk mund ta fitojë Shqipërinë duke e shkatërruar atë. Asnjë politikan nuk mund të pretendojë se shpëton popullin duke e futur në kaos. Asnjë analist nuk bëhet zë i demokracisë duke nxitur qytetarët kundër qytetarëve të tjerë.
Dhe asnjë media nuk mund ta quajë veten pushtet të katërt, kur e përdor pushtetin e fjalës për të hedhur benzinë mbi zjarrin e konfliktit.Protestoni, kundërshtoni, denonconi, kërkoni llogari, kërkoni dorëheqje dhe ndryshim politik. Por mos shkatërroni. Mos digjni. Mos kërcënoni. Mos e ktheni Shqipërinë në peng të interesave të atyre që duan pushtetin me çdo kusht.Sepse Shqipëria nuk është pronë e asnjë partie, as e asnjë kryeministri, as e asnjë opozite.
Është shtëpia e të gjithëve, edhe e atyre që nuk mendojnë si ne.Dhe shtëpia e përbashkët nuk ndërtohet duke i vënë zjarrin.Në emër të popullit nuk mund të shkatërrohet populli. Në emër të demokracisë nuk mund të vritet demokracia. Në emër të lirisë nuk mund t’i merret tjetrit liria.Rruga është dialogu, reforma, përgjegjësia dhe vota. Çdo rrugë tjetër është aventurë politike në kurriz të Shqipërisë dhe të qytetarëve të saj.
Top Channel