Tërmeti shkatërrimtar me dhjetëra ndërtesa të rrënuara dhe mbi 100 të vdekur, Kolumbia shpall emergjencë kombëtare
Një tërmet i fuqishëm 7.4 ballë ka tronditur Kolumbinë këtë të hënë, me dhjetëra viktima dhe të plagosur.
Kryebashkiaku i Pereira-s, Mauricio Salazar, tha se disa persona ndodhen ende të bllokuar në ndërtesat e shembura. Ndërkohë, në qytetin e Quibdó-s, katër persona raportohet se kanë mbetur të bllokuar në një ndërtesë katërkatëshe të shembur.
Tërmeti shkaktoi dëme të mëdha në disa qytete dhe u ndje në pjesë të ndryshme të Kolumbisë, si dhe në Venezuelën fqinje. Pamjet e publikuara nga Cali, rreth 200 kilometra në jugperëndim të Manizales, tregojnë përmasat e dëmeve të shkaktuara nga tërmeti.

Një tjetër video tregon momentin kur fasada e një qendre të EPS Sanitas, ofrues i shërbimeve shëndetësore në Kolumbi, shembet mbi ambulancat e parkuara përgjatë një rruge të mbushur me njerëz. Pamje të tjera tregojnë se pesë nga gjashtë katet e një krahu të Spitalit Universitar Valle Evaristo García janë shembur.
Autoritetet dhe ekipet e emergjencës vijojnë kontrollet në ndërtesat e dëmtuara, ndërsa po kërkohen persona që mund të kenë mbetur të bllokuar nën rrënoja.

Në Manizales, kryeqytetin e rajonit Caldas, të gjitha mësimet janë pezulluar në shkolla dhe universitete. Qyteti ndodhet më pak se 100 kilometra nga epiqendra e tërmetit. Zyra e kryetarit të bashkisë u ka bërë thirrje institucioneve arsimore dhe nxënësve që të ndjekin kanalet zyrtare për njoftimet e mëtejshme.
Qeveria e Shteteve të Bashkuara deklaroi se po “monitoron nga afër” situatën pas tërmetit dhe është e gatshme të ofrojë mbështetje për Kolumbinë. Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, u bëri thirrje qytetarëve amerikanë që ndodhen në Kolumbi të regjistrojnë praninë e tyre në internet pranë Departamentit të Shtetit dhe të ndjekin kanalet zyrtare për informacionet më të fundit.
Presidenti i Kolumbisë, Abelardo De La Espriella, ka marrë personalisht përgjegjësinë për koordinimin e reagimit qeveritar ndaj katastrofës. Ai njoftoi krijimin e një Poste të Komandës së Bashkuar për të koordinuar operacionet e shpëtimit dhe ndihmën për të prekurit. Presidenti ka deklaruar gjithashtu se do të udhëtojë drejt Pereira-s për të monitoruar nga afër situatën dhe reagimin e autoriteteve.
Top Channel