Zjarret përfshijnë Evropën Jugore, tre zjarrfikës humbin jetën në Greqi/ Spanja, Franca dhe Turqia përballen me temperatura ekstreme

30/07/2026 08:28

Tre zjarrfikës kanë humbur jetën gjatë përballjes me zjarret masive që kanë përfshirë Greqinë, ndërsa vala e të nxehtit dhe flakët vijojnë të kërcënojnë disa vende të Evropës Jugore.

Dy prej viktimave humbën jetën në ishullin e Kretës, pasi mbetën të bllokuar nga flakët në zonën e Rethymnos. Zjarri, i favorizuar nga erërat e forta, detyroi autoritetet të evakuonin disa fshatra. Viktima e tretë ishte një zjarrfikës që u gjet pa ndjenja pranë qytetit portual Gytheio, në Peloponezin jugor.

Banorët dhe turistët u larguan nga fshati malor Krya Vrysi, ndërsa dëshmitarët përshkruan skena paniku, me flakë që u përhapën me shpejtësi dhe front zjarri që arriti deri në 15 kilometra. Vatra të tjera zjarri janë regjistruar edhe në ishujt Paros dhe Lesbos, si dhe në rajonin e Trifilisë në Greqinë kontinentale.

Situata mbetet kritike edhe në Turqi, ku një zjarr në provincën Muğla detyroi mbylljen e autostradës që lidh Fethiyen me Antalian dhe evakuimin e një pjese të një spitali.

Ndërkohë, Spanja po përballet me valën e katërt të të nxehtit këtë verë. Kryeministri Pedro Sánchez paralajmëroi se 12 orët e ardhshme do të jenë vendimtare për vënien nën kontroll të zjarrit pranë Madridit.

Mbi 43 mijë hektarë tokë janë djegur në provincën Ávila, ndërsa autoritetet e konsiderojnë këtë zjarr si më të madhin e regjistruar ndonjëherë në historinë e Spanjës. Megjithatë, mijëra banorë kanë nisur të kthehen në shtëpitë e tyre pasi janë hequr kufizimet në disa zona.

Edhe Franca jugperëndimore vijon të mbetet në alarm. Zyrtarët paralajmërojnë se temperaturat mund të arrijnë deri në 41 gradë Celsius, ndërsa erërat e thata rrisin rrezikun e riaktivizimit të vatrave të zjarrit. Autoritetet kanë shtuar masat e sigurisë për të mbrojtur edhe objektet e industrisë së mbrojtjes dhe hapësirës ajrore.

Evropa po përballet me një nga verat më të nxehta të viteve të fundit. Sipas Shërbimit Evropian për Ndryshimet Klimatike “Copernicus”, kontinenti po ngrohet me ritmin më të shpejtë në botë, duke shtuar rrezikun e valëve ekstreme të të nxehtit dhe zjarreve shkatërruese.

Top Channel